×
  • Lajme
  • Fokus 2 / Aktgjykimi
    INSTANT

    Gjykata Kushtetuese i obligon partitë që në afat prej 30 ditësh ta konstituojnë Kuvendin

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 19:17

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se deputetët janë të obliguar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.

    “Gjykata përfundimisht ka konstatuar se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66, në ndërlidhje me paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 67, si dhe nenet 70 dhe 74 të Kushtetutës, në pajtim me Kreun IV të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit, si dhe nëpërputhje me konstatimet e dhëna në këtë Aktgjykim, janë të obliguar që, dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi, të përmbushin detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës përmes zgjedhjes së Kryetarit/es dhe të nënkryetarëve të tij.”, thuhet në aktgjykimin e publikuar nga Kushtetuesja.

    Rasti u iniciua nga deputetja Time Kadrijaj dhe 10 deputetë të tjerë, të cilët kërkuan vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë, si dhe të gjithë vendimeve të ngjashme në seancat e mbajtura gjatë muajve prill dhe maj.

    Vendimi i Gjykatës
    Me vendim unanim, Gjykata Kushtetuese ka shpallur kërkesën të pranueshme dhe ka konstatuar se: Seanca konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar;

    Zgjedhja e Kryetarit/es dhe nënkryetarëve është kusht themelor për funksionalizimin e Kuvendit;

    Seanca nuk është zhvilluar në përputhje me nenin 66 të Kushtetutës;

    Deputetët janë të detyruar ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi.

    Gjykata ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme.

    Në arsyetim, Gjykata thekson se e drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit, e rezervuar për grupin më të madh parlamentar, nuk mund të përdoret për të bllokuar procesin e konstituimit. Të gjithë deputetët, pavarësisht grupimit, kanë detyrimin kushtetues të bashkëpunojnë në mirëbesim për të zgjedhur Kryesinë e Kuvendit.

    Gjykata gjithashtu thekson se pa zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve, Kuvendi nuk mund të ushtrojë funksionet e tij ligjvënëse dhe mbikëqyrëse. Zgjatja e këtij procesi rrezikon parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve dhe funksionimin demokratik të shtetit./Reporteri.net/

    “Bllokuesi nuk kalon”, Haziri reagon pas aktgjykimit të Kushtetueses

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 21:23

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka shkruar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për situatën e bllokuar në Kuvendin e Kosovës.

    Haziri ka thënë se “bllokuesi nuk kalon”, duke thënë se është për keqardhje që në vend se politikanët, nëpërmje deputetëve, t’i zgjidhin ngërçet, i duhet Gjykatës Kushtetuese që ta bëjë këtë.

    Ai ka thënë se Kushtetuesja nuk lejon shantazhin politik.

    Postimi i plotë:

    Bllokuesi nuk kalon!

    Përshkrimi i frymës kushtetuese që Kosova ka vendosur më 17 shkurt 2008, nënkupton që marrëveshjet, mirëbesimi e kompromiset politike janë mjetet e vetme legjitime dhe patriotike në këtë Republikë, e cila themelet i ka më 2 korrik 1990. Nuk ka detyrim.

    Për votim, nuk e lejon shantazhin politik, e aq më shumë, nuk lejon keqpërdorimin e frymës kushtetuese për t’u keqpërdorë për konsum politik.

    Është për keqardhje që në vend se politikanët, nëpërmje deputetëve, t’i zgjidhin ngërçet, i duhet Gjykatës Kushtetuese që ta bëjë këtë!

    Bllokuesi nuk kalon.

    Nuk kemi Kuvend e as Qeveri, por vetëm deputetë të zgjedhur, sikurse që nuk mundesh me qenë edhe deputet e edhe anëtar i Qeverisë.

    Republika, mbi të gjitha!

    Bajrami për vendimin e Kushtetueses: Çka ndodh nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditëve?

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 20:54

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit, duke thënë se vendimi ka sjellë një qartësi me vendosjen e një afati 30-ditor për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

    Megjithatë, Bajrami ka shprehur shqetësimin se vendimi nuk precizon qartë se çfarë ndodh nëse Kuvendi dështon të konstituohet brenda këtij afati.

    “Më vjen mirë që Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar një afat kohor dhe tashmë e dimë, që ka një afat kohor… Nuk duke shumë e qartë, nga ajo që kam parë, se çfarë do të ndodhë nëse nuk bëhet brenda 30 ditëve.

    Kur e dimë se më kënd kemi të bëjmë në Kuvend, kur e marrim faktin se nesër është vazhdimi i 39 i seancës konstituive, menjëherë pyetja e parë që i bërë vetes që a ka thënë Gjykata Kushtetuese çka ndodh, në fakt a ka dhënë përgjigje se çka ndodh nëse edhe brenda këtyre 30 ditëve ne nuk arrijmë ta zgjedhim kryetarin e Kuvendit. Po thuhet se duhet të ketë zgjedhje.

    Unë e pash që partia e parë nuk e ka vetëm të drejtën, e ka edhe përgjegjësinë për të ardhur deri te konsensusi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Dmth normalisht obligohen të gjithë deputetët, por përgjegjësia kryesore edhe nga ajo çka lexuam është që partia që e ka të drejtën e ka edhe përgjegjësinë që të arrij konsensusin. Duhet ta gjej në figurë konsensuale, e pranueshme për pjesën më të madhe të deputetëve”, ka thënë ajo në RTV Dukagjini.

    Krasniqi: Aktgjykimi të zbatohet menjëherë, t’i japim epilog konstituimit

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 20:11

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës obligoi sot  deputetët duhet që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.

    Aktgjykimin e Kushtetueses e ka mirëpritur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha “Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin”.

    “E kemi përkrahur me ekspertizë dhe jemi bashkuar me iniciativën e AAK-së për sqarim kushtetues, sepse besojmë fuqishëm se demokracia mbrohet përmes ligjshmërisë dhe transparencës. Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve.”, tha Krasniqi.

    Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin.

    Reagimi i tij i plotë:

    Gjykata Kushtetuese dha qartësi: zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të ndodhë brenda 30 ditëve. Siç kemi theksuar që në fillim, rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt.

    Gjatë tërë kësaj kohe, Partia Demokratike e Kosovës ka vepruar me përgjegjësi, seriozitet dhe konstruktivitet. Kemi ofruar zgjidhje, jo bllokim. Kemi kërkuar respektimin e rendit demokratik, jo skema për ta shtyrë apo thelluar krizën institucionale.

    E kemi përkrahur me ekspertizë dhe jemi bashkuar me iniciativën e AAK-së për sqarim kushtetues, sepse besojmë fuqishëm se demokracia mbrohet përmes ligjshmërisë dhe transparencës.

    Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve.

    Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin.

    PDK do të vazhdojë të jetë pjesë e zgjidhjes edhe më tej. Urojmë që edhe palët e tjera të veprojnë në të njëjtin frymë. Mjaft kohë është humbur – tani t’i japim epilog kësaj çështjeje!

    Vjen reagimi i parë nga VV për aktgjykimin e Kushtetueses, Murati: S’ka nevojë për 30 ditë, që nesër të procedohet votimi i fshehtë

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 20:06

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, është i pari nga LVV që ka reaguar pat aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për situatën në Kuvend.

    Murait ka thënë se ky aktgjykim tegon se votimi i fshehtë nuk e shkel kushtetutën.

    Ai thotë që nuk ka nevojë për 30 ditë, por që nesër mund të kryhet kjo punë.

    Postimi i plotë i Muratit:

    1. Votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra lejohet.

    2. Të gjitha partitë duhet të angazhohen për të konstituuar Kuvendin, sidomos ato që propozojnë anëtarë në kryesi të Kuvendit.

    3. Të gjithë deputetët e kanë për obligim të marrin pjesë në votim.

    Këto i kemi thënë që nga dita e parë. Këto i paska thënë edhe Gjykata Kushtetuese.

    S’ka nevojë as 30 ditë të pritet. Që nesër mund të procedohet me votim të fshehtë, dhe kryhet kjo punë.

    Abelard Tahiri: Kushtetuesja foli, vendimi për komision të fshehtë ishte jokushtetues

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 19:50

    Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka nxjerrë jokushtetues tendencën për themelimin e komisionit të fshehtë.

    “Gjykata Kushtetuese ka folur qartë: vendimi për themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë në seancën konstituive ishte jokushtetues. Ky është një aktgjykim i rëndësishëm që ndal një devijim të rrezikshëm kushtetues dhe vërteton se procedurat parlamentare nuk mund të përdoren si instrument bllokade politike. Prej 15 prillit, konstituimi i Kuvendit është bllokuar – fillimisht nga dështimi i grupit më të madh parlamentar për të zgjedhur kandidaten e tyre për Kryetare të Kuvendit, dhe më pas, nga 30 prilli, përmes insistimit të një propozimi jokushtetues që pengoi vijimin e seancës konstituive.”, ka shkruar ai.

    Postimi i plotë:

    Gjykata Kushtetuese ka folur qartë: vendimi për themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë në seancën konstituive ishte jokushtetues.

    Ky është një aktgjykim i rëndësishëm që ndal një devijim të rrezikshëm kushtetues dhe vërteton se procedurat parlamentare nuk mund të përdoren si instrument bllokade politike.

    Prej 15 prillit, konstituimi i Kuvendit është bllokuar – fillimisht nga dështimi i grupit më të madh parlamentar për të zgjedhur kandidaten e tyre për Kryetare të Kuvendit, dhe më pas, nga 30 prilli, përmes insistimit të një propozimi jokushtetues që pengoi vijimin e seancës konstituive.

    Në cilësinë time si deputet, kam dorëzuar komente mbështetëse në këtë rast për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të ndalur instrumentalizimin e rregullave të Kuvendit nga një grup që nuk i ka votat, por kërkon të mbajë peng institucionet.

    Gjykata konfirmoi se:

    1. Rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas tekeve politike;

    2. Nuk ka të drejtë askush të vendosë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese e pa procedurë;

    3. E drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit nuk mund të shndërrohet në mekanizëm bllokues;

    4. Grupi më i madh parlamentar e ka detyrimin për bashkëpunim me grupet e tjera përmes kompromisit politik;

    5. Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga nxjerrja e aktgjykimit;

    Në këtë betejë, kemi qëndruar në mbrojtje të Kushtetutës dhe kemi dëshmuar se demokracia parlamentare nuk është pronë e askujt.

    Rendi kushtetues triumfoi – dhe me të, edhe vullneti për institucione funksionale, jo peng të një partie të vetme.

    Haradinaj reagon pas vendimit: U krijua baza ligjore për të dalë nga ngërçi

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 19:44

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

    Ai ka thënë se është krijuar baza ligjore për dalje nga ngërçi.

    Postimi i plotë:

    Në një situatë të një bllokade totale të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe konstituimin e Kuvendit, një rast i padëgjuar ky për botën demokratike, kemi kërkuar rrugëdalje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Nuk e kemi bërë për interesa partiake, por për interes të vendit dhe të zbatimit të vullnetit të shprehur me votë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2025.

    Këtë kërkesë tonën nuk e kemi shndërruar në çështje e as në kauzë politike.

    Prej ditës që e kemi dorëzuar kërkesën tonë në Gjykatë, më 12 maj 2025, nuk kemi bërë asnjë komunikim publik për epilogun eventual të saj, gjithnjë duke mos dashur të interferojmë në vendimin e Gjykatës.

    Nuk mund të mos shprehemi të lehtësuar që kërkesa e AAK-së për interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese është pranuar dhe Gjykata ka nxjerrë vendim për këtë çështje, duke krijuar një bazë ligjore për të dalë nga ngërçi i krijuar.

    Shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim përkatësie politike e partiake, që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe t’i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e fundit parlamentare.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!