×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi

    Gjykata Kushtetuese rrëzon dispozita kyçe të Kodit Doganor

    Reporteri
    29 Prill 2025 | 15:31

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur të pavlefshëm paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 të Kodit Doganor dhe të Akcizave, duke konstatuar se ato cenojnë parimet kushtetuese të barazisë para ligjit, vlerave dhe mbrojtjes së pronës.

    Sipas Gjykatës, këto dispozita krijojnë pasiguri juridike dhe cenojnë të drejtat e fituara të zyrtarëve të Doganës, veçanërisht për ata që nuk kanë pasur pozita paraprake në këtë institucion.

    Ndërkohë, paragrafët 2 dhe 7 u vlerësuan si në përputhje me Kushtetutën. Kërkesa për masë të përkohshme u refuzua. Vendimi u mor njëzëri nga trupi gjykues.

    Njoftimi i plotë për vendim në rastin KO234/24: 

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në rastin KO234/24, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së paragrafëve 2, 4, 5, 6 dhe 7 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit nr. 08/L-247 Doganor dhe të Akcizave, të parashtruar nga Avokati i Popullit, bazuar në përcaktimet e nënparagrafit 1 të paragrafit 2 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    Gjykata, ka vendosur njëzëri (i) të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe të konstatojë që: (ii) paragrafi 2 i nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247, nuk është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (iii) që paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247 nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 6 i nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247 nuk është në përputhshmëri me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 7 i nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247, nuk është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (v) të shpallë njëzëri, të pavlefshëm paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247; dhe (vi) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme.

    Aktgjykimi sqaron që thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me përmbajtjen e nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, sipas të cilit ndryshohet statusi i marrëdhënies së punës për pozitat drejtuese në Doganën e Kosovës, nga marrëdhënie pune me afat të pacaktuar në marrëdhënie me afat të caktuar dhe sipas të cilës dispozitë, cenohet siguria juridike, pritshmëritë legjitime dhe të drejtat e fituara të punonjësve në këto pozita, në kundërshtim me nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës thekson se neni 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) i Kodit të kontestuar është i ngjashëm me paragrafin 2 të nenit 99 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, i cili ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese përmes Aktgjykimit në rastet e bashkuara KO216/22 dhe KO220/22.

    Pretendimet e parashtruesit të kërkesës, u kundër-argumentuan nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, e cila në komentet e saj të dorëzuara në Gjykatë, theksoi se kufizimi i mandatit të pozitave drejtuese në Doganën e Kosovës nuk paraqet ndërhyrje në të drejtën e pronës, pasi sipas tyre vet pozita nuk përbën të drejtë pronësore. Ministria e Financave Punës dhe Transfereve në komentet e saj, tutje thekson se të drejtat ekonomike, përfshirë pagën, mbeten të paprekura edhe në rast të sistemimit në një pozitë tjetër me pagë të njëjtë. Prandaj, sipas Ministrisë së Financave Punës dhe Transfereve, përderisa nuk ka pasur kufizim në gëzimin paqësor të të drejtës së pronës, nuk mund të konstatohet shkelje e nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.

    Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, Gjykata fillimisht ka trajtuar: (i) parimet themelore të sundimit të ligjit dhe sigurisë juridike; dhe (ii) parimet e të drejtës në pronë; sipas Kushtetutës dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për aq sa janë relevante në rrethanat e rastit konkret.

    Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Gjykata vlerësoi se paragrafi 2 i nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, i cili parasheh se pozitat drejtuese në Doganën e Kosovës do të kenë mandat të kufizuar katër (4) vjeçar, me mundësi vazhdimi, është në përputhje me Kushtetutën, përkatësisht me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës. Gjykata theksoi, se kjo dispozitë vlen vetëm për emërimet e reja pas hyrjes në fuqi të Kodit Doganor.

    Në kontekst të vlerësimit të përmbajtjes së paragrafëve 4, 5 dhe 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Gjykata vlerësoi se (i) ndryshimi i statusit të funksionit nga marrëdhënia e punës me afat të pacaktuar në pozitë me afat të caktuar, mandati i të cilëve përfundon pas një periudhe kalimtare prej një (1) viti nga hyrja në fuqi e Kodit të kontestuar, sjell pasiguri për vazhdimësinë e marrëdhënies së punës; (ii) sipas paragrafit 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, zbatimi i këtij ndryshimi përfshin edhe pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm, ndonëse ky i fundit përjashtohet në mënyrë eksplicite në paragrafin 4 të të njëjtit nen, duke krijuar paqartësi dhe mospërputhje të brendshme normative; dhe (iii) trajtimi që përcakton paragrafi 6 për zyrtarët që nuk rizgjidhen në pozitat drejtuese pas përfundimit të mandatit njëvjeçar, rezulton në një trajtim të diferencuar me pasoja të ndryshme juridike. Kështu, në njërën anë (kategoria e parë), stafi i Doganës të cilët kanë pasur një pozitë paraprake në Doganë sistemohen në një funksion më të ulët me ruajtje të vlerës së pagës, çka përbën degradim në pozitë me kompensim të njëjtë financiar. Në anën tjetër (kategoria e dytë), stafi drejtues i Doganës që nuk kanë pasur një pozitë paraprake në Doganë, në rast të mosrizgjedhjes, e humbin vendin e punës.

    Në këtë kontekst, Gjykata vlerësoi se rregullimi i përcaktuar në paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit të kontestuar, që ndërlidhet me ndryshimin e statusit të funksionit nga marrëdhënia e punës me afat të pacaktuar në pozitë me afat të caktuar, respektivisht përfundimin e mandatit pas një periudhe kalimtare prej një (1) viti nga hyrja në fuqi e Kodit të kontestuar, nuk siguron mbrojtjen e mjaftueshme të të drejtave të fituara dhe krijon paqartësi juridike në raport me zbatimin e tij. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës.

    Më tej, Aktgjykimi sqaron që për kategorinë e parë të drejtuesve të Doganës – përkatësisht stafit të cilëve iu mundësohet rikthimi në pozitën paraprake brenda institucionit me ruajtjen e pagës– Gjykata konstatoi se dispozitat e paragrafit 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave nuk paraqesin ndërhyrje në të drejtën e tyre për gëzimin paqësor të pronës, përkatësisht, neni 46 [Mbrojtja e Pronës] i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm për këtë kategori punonjësish.

    Në vijim të vlerësimit, të paragrafit 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Gjykata konstatoi se për kategorinë e dytë të drejtuesve në Doganë, përkatësisht individët që nuk kanë pasur një pozitë paraprake brenda këtij institucioni, mosrizgjedhja në pozitën drejtuese pas një (1) viti nga hyrja në fuqi e Kodit Doganor dhe të Akcizave përbën ndërhyrje të pajustifikuar në të drejtën për gëzimin paqësor të pronës, të garantuar me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Aktgjykimi gjithashtu sqaron se në mungesë të ndonjë sistemi alternativ për këta drejtues apo garanci për ruajtjen e të ardhurave, ligji i kontestuar cenon pritshmëritë legjitime për vazhdimësinë e marrëdhënies së punës dhe përfitimeve që rrjedhin nga ajo, duke rezultuar në shkelje të standardeve kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të fituara. Si rrjedhojë, paragrafi 6 i nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor është në kundërshtim me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit Nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Në kontekst të vlerësimit të paragrafit 7 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Gjykata konstatoi se rregullimi ligjor i cili në rastin e mosvazhdimit të mandatit të stafit drejtues të Doganës, iu mundëson rikthimin në pozitën e tyre paraprake në Doganë në rast se kanë pasur një të tillë, është në përputhje me parimet kushtetuese të parashikueshmërisë dhe sigurisë juridike, si pjesë përbërëse e parimit të sundimit të ligjit. Si rrjedhojë, një rregullim i tillë ligjor i cili vlen për pozitat drejtuese të themeluara pas hyrjes në fuqi të Kodit Doganor dhe të Akcizave, përkon me standardet e parashikueshmërisë dhe sigurisë juridike, duke garantuar një trajtim të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për personat e prekur dhe duke siguruar respektimin e standardeve të sundimit të ligjit në Doganën e Kosovës. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi që paragrafi 7 i nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave nuk është në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike dhe të sundimit të ligjit, siç është përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!