×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata Kushtetuese mbetet pa një gjyqtar pas dorëheqjes së Bekim Sejdiut, si shkon procedura e zëvendësimit?

    Reporteri
    25 Maj 2021 | 18:17

    Gjyqtari Bekim Sejdiu ka dhënë dorëheqje nga Gjykata Kushtetuese duke e lënë vakant një pozitë në organin më të lartë të interpretimit të Kushtetutës. Në njoftimin e këtij institucioni thuhej se kjo dorëheqje vjen për shkak të vazhdimit të karrierës së Sejdiut në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.


    Me dorëheqjen e Sejdiut, Kushtetuesja ka mbetur me 8 gjyqtarë deri në përzgjedhjen e një gjyqtari të ri nga ana e Kuvendit të Kosovës.

    Kujtojmë që tashmë është në fazën finale zgjedhja e një anëtari tjetër të Kushtetuteses që do ta zëvendësojë gjyqtaren Arta Rama-Hajrizi, të cilës i përfundon mandati muajin e ardhshëm.

    Dje gazeta Online “Reporteri.net” ka shkruar se Komisioni i Posaçëm tanimë ka dërguar emrat e listës së ngushtë, të cilët do të votohen nga deputetët e Kuvendit për t’u bërë gjyqtar të Kushtetueses.

    Në listën e ngushtë bëjnë pjesë Vigan Qorrolli, Hilmi Jashari, Visar Morina dhe Haxhi Xhemajli, të cilët do të votohen në Kuvend.

    Por si zhvillohet procedura e zëvendësimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese?

    Hapi i parë në procedurën e zëvendësimit të gjyqtarit në Kushtetuese është shpallja e thirrjes nga ana e Kuvendit.

    Nëpërmjet thirrjes publike për nominimin e kandidatëve për të zënë një vend në Kushtetuese duke theksuar afatin kohor të aplikimit.

    E propozimet bëhen personalisht nga kandidati që dëshiron t’i futet garës për t’u bërë pjesë e Kushtetueses si gjyqtar, shkruan Reporteri.net.

    Në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese thuhet se “një person mund të propozojë veten për kandidat”.

    I njëjti ligj parasheh procedurat për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Kushtetuese.

    Sipas nenit 6 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese përcakton se duhet të themelohet një Komision i posaçëm, që udhëhiqet nga kryetari i Kuvendit apo nga përfaqësuesi i tij.

    Mëpastaj ky Komision i paraqet Kuvendit listën e ngushtë të kandidatëve të kualifikuar për gjyqtar.

    Ndërkaq Komisioni përbëhet nga anëtarë të shumtë ku përfshihet Kuvendi, të gjitha grupet parlamentare të Kuvendet apo deputetë të deleguar të tyre, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Avokati i Popullit, përfaqësuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete e përfaqësuesi i Gjykatës Kushtetuese.

    Ligji e ka paraparë edhe mënyrën e votimit.

    “Komisioni vendos me shumicën e thjeshtë të votave. Në rast të votimit të barabartë, vota e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës apo përfaqësuesit të tij/saj të deleguar është vendimtare”, thuhet në Ligj.

    Komisioni i posaçëm pas intervistimeve me shkrim e me gojë dhe brenda afatit prej pesëmbëdhjetë ditësh, i shqyrton kandidaturat dhe i dërgon Kuvendi listën e ngushtë me arsyetimet për propozimet.

    “Lista e ngushtë përmban më shumë kandidatë sesa numri i gjyqtarëve të cilët do të zgjedhën, por jo më tepër se pesë (5) kandidatë për një post të lirë”, thuhet në nenin 6.8 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

    E emrat e propozuar nga Komisioni votohet në Kuvend me dy të tretat e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë.

    Kandidatët që marrin votat e mjaftueshme, i propozohen për dekretim presidentit për gjyqtar të Kushtetueses.

    Kriteret për gjyqtar të Kushtetueses

    Përveç se duhet të jenë jurist të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë, gjyqtarët e Kushtetueses duhet të kenë jo më pak se dhjetë vjet përvoje profesionale përkatëse.
    “Jurist të shquar me reputacion të shkëlqyeshëm profesional me jo më pak se dhjetë (10) vjet përvojë pune profesionale veçanërisht në fushën e së drejtës publike dhe kushtetuese të dëshmuar, mes tjerash, përmes punës profesionale si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, shërbyes civil ose mësimdhënës universitar dhe punë tjera të rëndësishme të natyrës juridike”, thuhet në Ligj.

    Gjyqtarët e Kushtetueses zgjidhen nga Kuvendi e dekretohen nga Presidenti i vendit për një mandate nëntë vjeçar pa mundësi vazhdimi.

    Kujtojmë që javën e kaluar është zgjedhur kryetarja e re e Kushtetueses, Gresa Caka-Nimani, pasiqë ish-kryetares Arta Rama-Hajrizit i përfundon mandati si gjyqtarë në muajin qershor të këtij viti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!