Gjykata merr vendim për personin që i ofroi ryshfet zyrtarit policor në kufi

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda gjyqtarja e procedurës – Teuta Krusha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 06.04.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 06.05.2021, ndaj të pandehurit E.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: dhënia e ryshfetit nga neni 422 par.1 të   Kodit Penal të Kosovës.


Siç bëhet e ditur, Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit E.R., kavlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

– I pandehuri E.R., në mënyrë të drejtpërdrejt i jep dhuratë të paarsyeshme personit zyrtar, në  mënyrë që ai person të mos veproj në pajtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që më datë 06 prill, në orët e pasdite, duke kaluar si pasagjer me automjet në pikën kufitare Shqipëri – Kosovë, në Vërmicë, pasi ndalohet automjeti në fjalë nga zyrtari policor, i pandehuri E.R., në lejen e qarkullimit të automjetit të tij e kishte vendosur një kartëmonedhë në vlerë prej pesëdhjetë (50) euro, dhe kur është pyetur se pse është kartëmonedha e vendosur aty, në atë moment ka reaguar duke i thënë se : “këto të holla i kam futur unë për ju, për arsye se kam ndalesë hyrje në Kosovë dhe për të më mundësuar të kaloj kufirin”.

“Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.”

“Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.R., duke marrë parasysh faktin se i pandehuri është shtetas i Shqipërisë, dhe me lënin në liri i njëjti mund të arratiset dhe të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë gjatë fazës së hetimit dhe në faza tjera.

Gjithashtu Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka marrë parasysh edhe karakteristikat personale dhe sjelljen e mëparshme të të pandehurit, pasi që i njëjti është recidivist dhe kryerës i veprave tjera edhe në të shkuarën dhe për këtë arsye e ka pasur të ndaluar hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.