×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata nuk arrin ta gjejë Shukri Bujën që ta dërgojë në vuajtje të dënimit me burg

    Reporteri
    29 Mars 2021 | 16:12

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 26 shkurt 2021, kishte lëshuar një urdhëresë për shkuarje në vuajte të dënimit me burgim për ish-kryetarin e Komunës së Lipjanit, Shukri Buja.


    Buja është dënuar me një vit burgim efektiv nga Gjykata e Apelit, pasi është shpallur fajtor për korrupsion për kohën sa kishte qenë kryetar i Komunës së Lipjanit.

    Sipas urdhëresës së gjykatës, Buja ka qenë dashur të fillojë vuajtjen e dënimit prej një viti burgim nga data 22 mars 2021.

    Por, me arsyetimin se Buja ka ndërruar vendbanim, gjykata nuk kishte arritur që urdhëresën të dorëzojë tek ish-kryetari i Lipjanit, tashmë i dënuar për korrupsion.

    “Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë me datë 26.02.2021, ka lëshuar Urdhëresë për të dënuarin SH.B. që i njëjti të lajmërohet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë me datë 22.03.2021, për mbajtjen e dënimit me burg në kohëzgjatje prej një viti. Urdhëresa i është lëshuar sipas adresës së cekur në aktgjykim, por sipas fletë dërgesës së kthyer nga ana e dorëzuesve të gjykatës, e njëjta nuk ka arritur të dorëzohet pasi që në fletë dërgesë është shënuar se i njëjti është shpërngulur nga ajo adresë”, thuhet në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi” nga ana e zyrtares për informim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    Në përgjigje, Gashi ka thënë se gjykata e ka përsëritur sërish urdhëresën për Bujën. Sipas urdhëresës së re, Buja duhet të lajmërohet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë më 12 prill 2021.

    “Bazuar në këtë Gjykata përsëri me datë 25.03.2021 ka përsëritur Urdhëresën për të dënuarin SH.B., që i njëjti të lajmërohet në vuajtje të dënimit më datë 12.04.2021, mirëpo deri më tani nuk kemi informacione nëse i njëjti ka pranuar Urdhëresën nga Gjykata”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 18 shtator 2020, ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, e kishte dënuar me dy vjet burgim për korrupsion. Ky dënim i shqiptuar ndaj tij, kishte ardhur pas rigjykimit dhe pasi që në gjykimin e parë, Buja ishte dënuar me tre vjet burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!