×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata Speciale, “dashuria e parë” mes VV-së e LDK-së

    Reporteri
    15 Janar 2020 | 13:06

    Para dy vitesh, saktësisht më 22 dhjetor të 2017-tës, dështuan dy tentime për seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, për të votuar propozimin e 43 deputetëve për shfuqizim të Ligjit për Gjykatën Speciale. Kjo përpjekje atë kohë ngjalli reagime të ashpra nga ndërkombëtarët, veçanërisht atë kohë të ambasadorit amerikan, Greg Delawie, duke thënë se nëse ndodhë kjo ‘shkatërrohet shteti i Kosovës’, shkruan Reporteri.net


    Kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale dolën Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje që ishin parti opozitare si dhe Lista Serbe të cilat nuk i kishin dërguar përfaqësuesit e tyre në mbledhjen e Kryesisë, me çka e kanë pamundësuar kuorumin për vendimmarrje, kurse në mbledhje kishin marrë pjesë përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

    Ishte tejet befasues qëndrimi i VV-së atë natë. Nga një kundërshtare e fuqishme e mos- votimit të Gjykatës Speciale, për habi në kundërshtare të mos-shfuqizimit të saj.

    Dy vite pas po del se kjo seancë e jashtëzakonshme për tentim të shfuqizimit të Speciales, një armiqësi të madhe mes dy partive, LDK-së e VV-së e kthej në dashuri.

    Është nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani e cila mbrëmë përmes një stautsi në Facebook, ndërsa shprehu sërish gatishmërinë për koalicion me VV-në, duke ju kundërvënë bashkëpartiakut Agim Veliu, i cili duket se beson në arritjen e koalicionit, tha se se seanca e 22 dhjetorit e 2017-tës ishte filli i dashurisë mes partisë së saj dhe të Albin Kurtit.

    “Para rreth dy vitesh, partitë në pushtet, ato të koalicionit PAN, filluan nismën për shfuqizimin e gjykatës speciale, e cila nga partnerët tanë u quajtë ‘thikë pas shpine’, ‘rreziku më i madh në Kosovën e pasluftës’, ‘shkatërrim i miqësive’, e ‘shkelje e orientimit euro-atlantik’. Meqë miqtë tanë ndërkombëtarë dhe kërkesat e tyre injoroheshin nga Presidenti i vendit dhe partitë në pushtet, që të gjithë u drejtuan tek zyret e LDK-së. Sërish, ishte pikërisht LDK-ja, vendi ku do të mbrohej shtetësia, miqësitë dhe orientimi pro-perendimor i vendit. Por këtë nuk mund ta bënim vetë. Ishte vetëm një parti që i doli në krah përpjekjeve të LDK-së atë ditë: Lëvizja Vetëvendosje. Atë mbrëmje, për këdo që e kupton politikën drejtë, është ndërtuar koalicioni i shpresës. Atë ditë, është rikonfirmuar orientimi pro-perendimor dhe euro-atlantik i vendit tonë. Atë nuk e bëri LDK-ja vet, e as LVV-ja vetë…por e bënë LDK dhe LVV bashkë, me bekimin e miqve tanë ndërkombetarë”, shkruajti Vjosa në Facebook, shkruan Reporteri.net.

    Ndërsa bisedimet mes Kurtit dhe Mustafës aktualisht janë bllokuar, të paktën derisa LDK ta shqyrtojë ofertën e fundit të VV-së, mbetet të shihet ditët në vazhdim nëse “dashuria” e nisur para dy vitesh mes këtyre dy martive do të kurorëzohet me “martesë”, apo do të ndahen, shkruan Reporteri.net.

    Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës më 3 gusht të vitit 2015 pati miratuar me procedurë të përshpejtuar ligjin për Gjykatën Speciale.

    Miratimi ishte bërë me shumicë votash por pa pjesëmarrjen e partive të opozitës të cilat atë kohë i bojkotuan punimet e Kuvendit.

    Ligji për Gjykatën e Posaçme është hartuar nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë shumë pak nga vërejtjet e kërkuara nga Prishtina e që kishin të bënin me formulime ku ishte përfshirë edhe fjala gjenocid. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!