Gjykata Themelore në Gjakovë ua ka caktuar nga 30 ditë paraburgim të pandehurve B.R., N.V., P.K. dhe M.S. që dyshohet se kanë kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Personat që u arrestuan ditë më parë ishin paraqitur si pelegrinë, e më pas u kuptua që njëri prej tyre ishte toger i policisë së Serbisë, e një tjetër kapiten i ushtrisë serbe. E dy të tjerët u konfirmua në seancën e së hënës se punojnë në institucione serbe të sigurisë.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se “ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, me datën 5 prill 2025, në Rr. “Gasper Karaqi” në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje e duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një (1) sëpatë, një (1) thikë me këllëf, dhe një (1) thikë sharrë, në atë mënyrë që pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak se të njëjtit me automjetin e llojit Toyota ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë dhe pasi ngasësi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policor se a posedon diçka ilegale në veturë i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës dhe pas një kontrolle të veturës nga ana e zyrtarëve policor janë gjetur mjetet e mprehta të cekura me lartë, ku te njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës”.
Vendimin për paraburgim, Gjyqtari e ka arsyetuar me rrezikun e përsëritjes së veprës apo ikjes.
“Gjyqtari i procedurës paraprake Samedin Cena, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit në fjalë, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurve në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe rreziku i ikjes. Të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej tridhjete (30) ditësh, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 5 prill 2025 dhe do të zgjasë deri më 5 maj 2025”, thuhet në njoftim./Reporteri.net
Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për katër serbët e arrestuar në Gjakovë