×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykatësi i ri ende nuk e cakton seancën në rastin ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve

    Reporteri
    13 Shtator 2021 | 13:53

    Për shkak se rastin e ka marrë gjykatësi Agim Kuçi, ende nuk ka filluar gjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku dhe të tjerëve, për dyshimin se kishin penguar dhe frikësuar dëshmitarët në rastin “Drenica”.Këtë rast e kishte gjykuar gjykatësi tashmë i ndjerë Shashivar Hoti, mirëpo pasi i njëjti kishte ndërruar jetë, lënda në fjalë i është ndarë në punë gjykatësit Agim Kuçi. Ky i fundit, për “Betimi për Drejtësi”, ka bërë të ditur se për shkak të lëndës voluminoze nuk e ka caktuar ende datën e seancës.


    Në këtë rast, përveç Lushtakut, për veprat penale “pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “pjesëmarrja në grup të organizuar kriminal”, po akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, raporton “Betimi për Drejtësi”.Fillimisht, kjo pjesë e aktakuzës që ka të bëjë me pengim dhe frikësim të dëshmitarë, ishte e përfshirë në aktakuzën që ka të bëjë me arratisje nga QKUK, i cili rast ka përfunduar me aktgjykim të plotfuqishëm, por për këtë pjesë të aktakuzës, që nuk ka të bëjë me arratisje, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Shashivar Hoti, në seancën e 20 shkurtit 2020 e kishte veçuar procedurën.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 prill 2020, në gjykimin për arratisje nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku dhe të tjerët po merrnin trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”, e kishte dënuar atë me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje, për njërën që kishte ndodhur me 21 gusht 2015 dhe tjetra me 22 shtator 2015.Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

    Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtaku si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj ishin liruar nga akuza.Këtë aktgjykim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit si dhe Gjykata Supreme e cila në dhjetor 2020, kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së paraqitur nga mbrojtja e Sami Lushtakut.

    Por, që nga ajo kohë, ende nuk është caktuar asnjë seancë për pjesën tjetër të aktakuzës, që ka të bëjë me frikësim dhe pengim të dëshmitarëve.Në këtë pjesë të aktakuzës, Lushtaku së bashku me Fatmir Mjakun, po dyshohen se kishin nxitur dëshmitarin “C”, për të dhënë deklaratë të rrejshme në gjykimin e rastit “Drenica”, duke o ofruar 40 mijë euro dhe një banesë, në këmbim të mohimit të deklaratës fajësuese ndaj Lushtakut, Sahit Jashari dhe Sabit Gecit, ku si rezultat i kësaj, prokuroria po pretendon se kishte dërguar në lirimin e të pandehurve nga akuza.

    Në një dispozitiv tjetër të aktakuzës, Lushtaku së bashku me Skender Tahirin, Sheremet Jasharin dhe Bajram Dibranin po dyshohen se kishin detyruar dëshmitarin “F”, që të japë deklaratë të rrejshme në gjykimin e rastit “Drenica”, fillimisht duke e kërcënuar e pastaj duke i dhënë 109 mijë euro në këmbim të mohimit të deklaratës së tij.

    Po ashtu, Lushtaku dhe Ismet Haxha po dyshohen se nga qershori 2013 kishin krijuar një grup kriminal për ndjekjen e dëshmitarëve në gjykimin e rastit “Drenica”, në të cilin gjykim ishin dhënë deklarata fajësuese kundër tyre gjatë fazës së hetimeve, por këta dëshmitar sipas prokurorisë ishin detyruar nga të akuzuarit për ndryshimin e deklaratave, në mënyrë që t’u mundësohet lirimi nga akuza.

    Për këto veprime, të akuzuarit po ngarkohen me veprat penale “pjesëmarrja në grup të organizuar kriminal “,“pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare” dhe “frikësimi gjatë procedurës penale”. /BetimipërDrejtësiShënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!