Është shtyrë deri me 12 qershor dorëzimi i mocionit për rrezim të akuzave që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së planifikonte ta dorëzonte. Kjo ka ndodhur për shkak se janë pranuar disa prova të reja në rastin ku Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për krime lufte.
Pranimi i provave të reja në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte, ka shtyrë edhe dorëzimin e mocionit të mbrojtjes për këto akuza.
Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit kishin planifikuar që këtë të hënë të dorëzonin mocionin për rrëzim të akuzave.
Siç ka konfirmuar avokati mbrojtës i Thaçit, Luka Mishetiq, mocioni do të dorëzohet deri më datën 12 qershor.
Kryetari i trupit gjykues, ka vendosur për pranimin si provë disa raporte ndërkombëtare, e prova që ndërlidhen me viktimat që janë të përfshirë në aktakuzë.
Këto prova sipas prokurorisë, përforcojnë provat për keqtrajtimin dhe torturat ndaj të ndaluarve, derisa mbrojtja e të akuzuarve i kishte kundërshtuar të njëjtat.
Këtë kërkesë për pranimin e këtyre dokumenteve në prova, Prokuroria e kishte dorëzuar më 31 mars 2025, ndërsa trupi gjykues e mori vendimin më 29 maj 2025.
Mbrojtja kishte pretenduar se ata do të paragjykoheshin nga pranimi i këtyre materialeve, pasi ZPS-ja nuk ka identifikuar ndonjë dëshmitar specifik përmes të cilëve mbrojtja do të ishte në gjendje që ta sfidojë përmbajtjen e tyre.
Madje, mbrojtja ka pretenduar se materialet e propozuara nuk tregojnë burimin e informacionit dhe janë të bazuara në thashetheme apo burime anonime.
“Paneli rikujton se fakti që një provë është dëshmi indirekte apo e pabazuar në burime të identifikueshme nuk e përjashton domosdoshmërisht pranimin e saj. Kur një dokument i tillë pranohet, këto veçori do të merren parasysh kur të vlerësohet pesha dhe vlera provuese e provës”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, trupi gjykues ka theksuar se këto dokumente përbëhen nga raporte të hartuara nga organizata ndërkombëtare në lidhje me ngjarje në Kosovë që janë me rëndësi për akuzat në aktakuzë.
Ndërkohë që sipas avokatit të akredituar nga Gjykata Speciale, Taulant Hodaj këto çështje nuk mund të ndikojnë në zgjatjen edhe më tutje të procesit gjyqësor.
“Po besoj që gjykata vendimi të kryhet para muajit qershor dhe eventualisht me fillu në korrik sepse në gusht janë pushimet, dhe të fillojë me dëgjim të dëshmitarëve të mbrojtësit të viktimave, e mbrojtësit të akuzuarve por mundet mos me ndodh kjo dhe me fillu pas pushimeve, dhe pak a shumë janë brenda afateve dhe parashikimeve kur ka bërë para dy viteve..”, deklaroi Taulant Hodaj.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar me paraqitjen e provave për këtë çështje gjyqësore më 15 prill të këtij viti. Pas kësaj ishte kërkuar ndryshimi i masës së sigurisë, ndaj të akuzuarve e që sipas avokatit Hodaj kanë ndikuar disa faktorë që mos të ndodhë kjo.
“Mund të ketë ndikime sidomos te këta që janë në paraburgim, sepse proceduralisht prokuroria mundet me shfrytëzu që nuk ka siguri të mjaftueshme psh policia ska mundur me i ndal protestuesit e lërë me të i sigurojë të akuzuarit, kjo proceduralisht mund të ndikojë për ndryshimin e një mase të sigurisë.” , përfundoi Hodaj. /RTV Dukagjini