Gjykata Speciale ka marrë vendim që të largojë 11 dëshmitarë në gjykimin ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shtatë të tjerë do të dëshmojnë me shkrim.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur lajmin përmes një njoftimi për media, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Në përputhje me urdhrin e Panelit të datës 29 maj, ZPS-ja sot më 16 shtator njoftoi se nuk do të mbështetet më në dëshmitë e njëmbëdhjetë dëshmitarëve. Po ashtu, ZPS-ja do t’i paraqesë me shkrim deklaratat e 7 dëshmitarëve në vend të dëshmive të drejtpërdrejta në gjykatë”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, gjatë së hënës ka nisur dëshminë dëshmitari i 85-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Ky dëshmitar ka dëshmuar me masa mbrojtëse dhe sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesi i ZPS-së, Matt Halling, ai është ish-ushtar i UÇK-së.
Ish-drejtuesit e UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, po gjykohen në Gjykatën Speciale nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij , sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë. /Reporteri.net