×
  • Lajme
  • Lajme / Gjykata Themelore

    Gjykimi për krim të organizuar e vepra tjera, njëri i akuzuar lirohet nga akuza, dy tjerëve iu refuzua shkaku i parashkrimit

    Reporteri
    10 Mars 2025 | 16:19

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Lorik Jasharit për veprën penale “Shpëlarje e parasë”, ndërsa aktgjykim refuzues ndaj Jasharit, si dhe Kadri Mustafës dhe Naman Pacollit për veprat tjera “Krim i organizuar”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Keqpërdorim të autorizimeve në ekonomike”, për shkak se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

    Aktgjykimi ndaj Jasharit, Mustafës, Pacollit u shpall të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktgjykimit, Jashari u lirua nga akuza për “Shpëlarje të parasë”, pasi nuk është vërtetuar që ka kryer veprën në fjalë.

    Ndërsa, për veprat penale “Krim i organizuar”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Keqpërdorim të autorizimeve në ekonomike”, për të cilat vepra ngarkoheshin Jashari, Mustafa dhe Pacolli, për shkak të parashkrimit është refuzuar akuza.

    “Refuzohet aktakuza për pikën I deri në V të aktit akuzues, pas ri-rregullimit të aktit akuzues, për veprën penale të krimit të organizuar nga neni 274, pas ricilësimit të kësaj vepre penale dhe atë për veprat penale bazë apo të ndërlidhura me veprën penale 249 “Shmangie nga tatimi” dhe veprën penale të ricilësuar “Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi”, tha ndër të tjera Kurtaj.

    Gjyqtari Kurtaj theksoi se akuza refuzohet edhe për pikën 6 ndaj të akuzuarve Mustafa dhe Pacolli, për të njëjtat arsye.

    “Refuzohet akuza nga Kadriut dhe Namanit për pikën 6 të aktakuzës për veprën penale “Shmangie nga tatimi”, dhe veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi” për shkak të vjetërsimit absolut të ndjekjes penale”, tha Kurtaj.

    Pala e dëmtuar- Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) udhëzohet në kontest juridko-civil, si dhe lirohen asetet e sekuestruara sipas urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake.

    Gjyqtari njoftoi po ashtu që shpenzimet bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës dhe që palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve për në Gjykatën e Apelit përmes kësaj gjykate.

    Të akuzuar në këtë rast kanë qenë edhe Xh.M. dhe M.G., por ndaj tyre procedura ka pushuar pasi të njëjtit kanë ndërruar jetë.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës, më 25 shkurt 2014, ngriti aktakuzë kundër të akuzuarve Lorik Jashari, Kadri Mustafa, Xh.M., Naman Pacolli dhe M.G., të cilët ngarkoheshin për veprat penale “Krim i organizuar” sipas nenit 274, paragrafi 1, lidhur me paragrafët 2 dhe 3 të Kodit Penal, “Shmangia nga tatimi” sipas nenit 249, paragrafët 1 dhe 2 të KPK-së, “Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi” sipas nenit 236, paragrafët 1 dhe 2 të KPPK-së dhe “Shpërlarje e parave” sipas nenit 32, paragrafët 2.1 dhe 2.3 të LPSHPFT-së.

    Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2007-2011, i akuzuari Lorik Jashari, si drejtues i grupit të organizuar kriminal, ndihmoi në regjistrimin e biznesit “Flaka Com” në emër të Mustafës. Ndërsa për Xh.M. u regjistrua biznesi “Loni Com”, dhe për M.G. biznesi “Yllka Com”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!