×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjyqi për vrasjen e djalit të dajës në Lipjan, eksperti mjeko-ligjor thotë se plaga afër zemrës ka shkaktuar vdekjen

    Reporteri
    20 Dhjetor 2021 | 16:11

    Eksperti mjeko-ligjor, Naim Uka i cili ka bërë autopsinë e tani të ndjerit F.K, ka thënë se vdekja ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes se brendshme dhe të jashtme në regjionin e majtë të kraharorit (zemrës).

    “Si pasoje e plagës tejshkuese, prerëse, shpuese, në regjionin e majtë të kraharorit i shkaktuar nga veprimi mekanik i fortë, mprehëse dhe me maje”, u shpreh eksperti të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Në këtë rast Baki e Bali Reçica, po akuzohen se kanë vrarë djalin e dajës së tyre, tani të ndjerin F.K, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Eksperti mjeko-ligjor, shpjegoi edhe tre plagë tjera që sipas tij, janë bërë me mjet të fortë por që dallojnë për nga mënyra se si janë marrë.

    Prokuroja e rastit Besa Limani, e pyeti ekspertin se a ka pasur i ndjeri lëndim në kokë, pasi sipas disa dëshmitarëve në ceremoninë e varrimit ishte vërejtur një lëndim i tillë, ndërsa në raportin e autopsisë nuk është.

    Uka u përgjigje duke thënë se i njëjti nuk kishte një lëndim në kokë dhe për këtë ai tha se prokurorisë e gjykatës i është ofruar CD-ja me fotografi.

    Në anën tjetër, mbrojtës i të akuzuarit Baki Reçica, avokati Fanol Krasniqi e pyeti ekspertin për përshkrimin e ngjyrës së plagëve dhe dallimin në mes plagës me ngjyre ‘të kuqrremte’ dhe plagës me ngjyrë ‘kafe’, duke kërkuar sqarim se të njëjtat a konsiderohen të freskëta.

    Eksperti Uka tregoi se dallimi mes këtyre dy ngjyrave është se a janë marrë me mjet shpues apo jo, por nuk kanë dallim për nga periudha.

    Avokati Krasniqi, pas largimit të ekspertit në fund propozoi që të ftohet një ekspert apo një grup ekspertesh tjerë, pasi sipas tij nuk ka qenë elaborimi i qartë.

    “Sipas literaturës mjeko-ligjore shumë qartë përshkruhen se si e merr ngjyrën plaga me kalimin e kohës, andaj konsideroj që plagët me përngjyrim kafe nuk janë plage te freskëta…”, u shpreh ai.

    Ky propozim dhe propozimi për të ftuar Fehmi Reçicen si dëshmitar u refuzua nga trupi gjykues në krye me gjyqtarin Alban Ajvazi.

    Prokuroja e rasti propozoi që të shkohet edhe njëherë në vendin e ngjarjes që të konstatohet qartë se ku ka qenë viktima, të akuzuarit dhe dëshmitarët.

    Mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Tahir Rrecaj, tha se përveç rikonstruimit të vendit të ngjarjes të caktohet edhe një ekspert i gjeodezisë për rrugën që thuhet se ka qenë shkaktare.

    Të dy propozimet nuk i refuzoi as mbrojtësi i të akuzuarit Bali Reçica, avokati Skender Musa, duke thënë se të dy propozimet janë të vlefshme për zbardhjen e rrethanave.

    Kurse, avokati Krasniqi kërkoi ndalimin e masës së paraburgimit për të akuzuarin Bali Reçica me arsyetimin se tani me janë sqaruar rrethanat dhe si i nderi nuk kishte lëndime në kokë.

    Ky propozim u refuzua nga gjykata duke thënë se nuk ka ndërruar asgjë dhe se ende vlejnë kushtet e caktimin dhe vazhdimi të këtij paraburgimi.

    Gjykimi në këtë rast do vazhdojë me 18 janar, ku edhe do të dëgjohen të akuzuarit.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 janar 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të akuzuarit Bali dhe Baki Reçica më 7 shtator 2019, në rrugën “Lidhja Prizrenit”, në Lipjan, para shtëpisë së tani të ndjerit F.K dhe shtëpisë së të akuzuarve Reçica, kishin privuar nga jeta tani të ndjerin F.K, të cilin e kanë pasur djalë të dajës.

    Në aktakuzë thuhet se pasi kushëriri i tyre, dëshmitari Muhamet Reçica, derisa ishte duke punuar për të akuzuarit, kishte shkuar për të hedhur karrocën me mbeturina betoni afër shtëpisë së tani të ndjerit F.K, përkatësisht në pronën kontestuese, për të cilën për l0 vjet kishin mosmarrëveshje në mes të dy palëve, tani i ndjeri nuk e kishte lejuar që ta hedh bërllokun me arsyetimin se i pengonte para shtëpisë.

    Sipas aktakuzës, pastaj dëshmitari Muhamet ishte kthyer dhe e kishte informuar të akuzuarin Baki, i cili e kishte marrë karrocën me mbeturina dhe sipas marrëveshjes në mes tyre dy të akuzuarit kishin shkuar në vendin e ngjarjes për të hedhur bërllogun, ndërsa pas tyre ishte nisur dëshmitari Muhamet Reçica dhe me të mbërritur, tani i ndjeri iu kishte thënë “kthehuni mbrapa se nuk keni me zbraz kolicë me mbeturina këtu”, ndërsa i akuzuari Baki me vendosmëri i kishte thënë “pse nuk bën, unë bash këtu kam me e zbraz”, dhe e ka lëshuar karrocën nga dora.

    Siç thuhet në aktakuzë, tani i ndjeri F.K, kishte reaguar për t’i penguar, e pastaj të akuzuarit Reçica me dashje që ta privojnë nga jeta e kanë goditur fillimisht me kaçavidë dy herë në gjoks, ku tani i ndjeri F.K, në vetëmbrojte ka marrë një shufër metalike nga toka dhe me të e ka goditur të akuzuarin Bali, ndërsa i akuzuari Bali e ka goditur atë me thikë tek zemra, ndërkohë i akuzuari Baki e ka goditur me shufër pas kokës, ku pas lëndimeve të ndjerin e kishin dërguar në QKUK në Prishtinë, ku të njëjtën ditë ka ndërruar jetë.

    Për këto veprime, prokuroria po i ngarkon të akuzuarit Reçica se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, pika 1.3 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal, ndërsa të akuzuarin Bali Reçica po e ngarkon edhe me armëmbajtje pa leje, për shkak të thikës që i akuzuari e kishte përdorur në këtë rast. /BetimipërDrejtësi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!