Mungesa e pavarësisë dhe ndikimi politik, por edhe grumbullimi i lëndëve të grumbulluara nëpër sirtarë, ka bërë që drejtuesit e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Kosovë, të ndërmarrin veprime për të monitoruar punën e gjyqtareve dhe prokurorëve.
Sistemi i drejtësisë ka vite që është nën thumbin e kritikave si nga përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe Komisionin Evropian, ashtu edhe ata të organizatave joqeveritare vendore.
Përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial, thanë për Radion Evropa e Lirë se komisionet disiplinore janë duke funksionuar pa ndikime dhe si rezultat janë ndërmarrë masa suspendimi dhe ndëshkimi për prokuroret të cilët kanë bërë shkelje në punë.
Bahri Hyseni, Kryesues i Këshillit Prokurori të Kosovës tha se pas propozimeve të komisioneve disiplinore, Këshilli Prokurorial ka vendosur që t’ju shqiptohen masat adekuate atyre që kanë shkelur ligjin.
“Një pjesë e prokurorëve të cilët kanë rënë ndesh me Kodin e Etikës apo edhe me çështjet e tjera ligjore, tanimë nuk janë në sistem, janë suspenduar apo edhe ka propozime për largim nga detyra”, tha Hyseni.
Ai tha po ashtu se në takimin e fundit të Këshillit Prokurorial janë formuar katër grupe të komisioneve për të shqyrtuar disa raste të prokurorëve, të cilët dyshohet se nuk kanë përfillur ligjin dhe Kodin e Etikës.
Kurse në Këshillin Gjyqësor thonë se Komisioni Disiplinor prej fillimit të vitit 2019 e këndej ka pranuar dhe shqyrtuar tri raporte përfundimtare të pranuara nga Zyra e Prokurorit Disiplinor.
Për këto tri raporte, Komisioni thuhet se ka marrë tri vendime, përfshirë edhe atë për ulje të pagës për 30 për qind, në kohëzgjatje prej tre muajve.
Në prokuroritë dhe gjykatat vendore, mbesin ende qindra raste të papërfunduara që lidhen me korrupsionin. Ndërsa mungesa e efikasitetit në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, vazhdimisht është vlerësuar si pengesë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë./REL/