Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka dërguar mesazh partisë në pushtet.
“Mbani familjarët larg parave të shtetit”, tha Abdixhiku në Turneun e Ndryshimit në Istog, duke aluduar në raportimet e fundit se si vëllai i deputetes Fitore Pacolli përfitoi 100 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë.
“Kam takuar bujq, që punojnë një vit të tërë, për t’i humbur produktet e bëra me mund e zemër! Këta bujq nuk kanë motra në qeveri, për t’i marrë 100 mijë euro grant katër ditë pasi kanë regjistruar biznes. A është ky ndryshimi i vërtetë! Mbani familjarët për vete! Mbani familjarët larg parave të shtetit”, tha Abdixhiku.
Reagime të mëdha ka nxitur lajmi për ndarjen e një ganti në vlerë prej 100 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë, saktësisht Agjencia për Zhvillim Bujqësor me përfitues Blerim Pacolli, vëllain e deputetes të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është Kryetare e Komisionit për Bujqësi me emër të Projektit “Ndërtimi i stallës dhe lopë qumështore”.
Vetë Pacolli, vëllai i deputetes Fitore Pacolli ka pranuar se ka marrë grant nga Ministria e Bujqësisë. Ai thotë se ia ka dhënë 65% shumës të projektit, apo 63 mijë euro, shkruan Reporteri.net.
“Unë kam fituar grant por nuk i kam fituar 100.000 euro siç po shkruhet nëpër portale. Kam aplikuar me projekt për shtallë për lopë qumshtore, vlera e të cilit arrinë në 100.000 euro. Ministria mbulon 65% shumës së projektit ndërsa unë me financat e mia mbuloj 35% të vlerës. Kush do që din pak matematikë të nivelit fillestar e kupton se vlera që Ministria mbulon projektin është 63.000 euro asnjë cent më shumë”, ka shkruar ai.
Pas reagimeve të shumta për këtë rast, ka dalë me reagim edhe vetë Ministri Faton Peci.
Peci ka thënë se “Ministri nuk vlerëson, nuk favorizon, nuk diskriminon, nuk miraton e as nuk refuzon individë, si dhe nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve”.
“Pas këtij pretendimi të LDK-së dhe partive të tjera opozitare simotra PLANS, si dhe për të informuar publikun,(përkundër dëshirës sonë), do të ndajmë të gjithë individët përfitues të granteve që kanë mandat dhe funksion politik. Kjo për t’ua bërë me dije se ne nuk diskriminojmë askënd për shkak të bindjeve politike dhe funksionit politik, sepse kjo është një praktikë e atyre që sot janë në opozitë dhe që nuk kanë mundur të fshehin milionat e vjedhur as nëpër tualete. Përkundër dëshirës mirëpo me qëllim të demantimit të këtyre lajmeve, të hënën do të publikojmë një listë të asambleistëve të LDK-së dhe të partive të tjera që janë përfitues të programeve të ministrisë sonë, për të siguruar që procesi është transparent, i drejtë dhe mbi të gjitha meritor!”, ka shkruar Peci./Reporteri.net/
Vëllai i Fitore Pacollit: Ministria mi dha 63 mijë Euro, vlera e shtallës është 100 mijë Euro