Gratë në drejtësi dhe në polici përjetojnë diskriminimin më të madh

Shoqëria jonë nuk është e njoftuar sa duhet me të drejtat e grave dhe problematike po del të jetë aplikimi ose realizimi i të drejtave në gjyqësor.


Këtë gjendje po e sheh si shqetësim, Luljeta Aliu nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi.

Ajo në një intervistë për Ekonomia Online tha se shoqëria kosovare është shumë paragjykuese ndaj grave sepse gruaja nuk shihet si individ, por si objekt.

“Shoqëria kosovare ka filluar të interesohet për të drejtat e saj, normalisht shumë ligje janë zhvilluar kohën e fundit dhe ka pasë shumë ndryshime që i kemi pasë më herët në Jugosllavi dhe tani ligjet në Republikën e Kosovës. Ka qenë pak vështirë për njerëzit të ambientohen, por tash e vërej që ka një dallim tek njerëzit. Njohurit rreth të drejtave të grave është pak e ulët dhe ka nevojë për të punuar, por problematike është aplikimi i drejtë ose realizimi i të drejtave tona në gjyqësor”, thotë ajo.

“Në përgjithësi ne jemi shoqëri paragjykuese dhe jo vetëm ndaj grave, ne shumë shpesh etiketojmë në bazë të pamjes, në bazë të folurit dhe jemi shoqëri që i kategorizojmë njerëzit mirëpo kjo është duke ndryshuar e sidomos me gjeneratat e reja. Ndaj grave në përgjithësi jemi shumë paragjykues dhe shumë kontrollues, se gruaja në shoqërinë tonë nuk është parë si individ në vete por është parë si shoqëruese ose si pjesë e familjes po nuk merret si njeri me të drejta të plota”.

Sipas saj, gratë në drejtësi dhe në polici përjetojnë diskriminim më të madh dhe ato nuk e gëzojnë barazinë e njëjtë para ligjit.

“Gratë në drejtësi dhe në polici e përjetojnë diskriminim më të madh, por mundet me u luftu dhe me u kundërshtu. Në sistemin e drejtësisë dhe të policisë njerëzit janë të pambrojtur aq më shumë gratë. Burrat munden me gjet mundësi se si me i realizu të drejtat e tyre ndërsa për gratë është shumë e vështirë. Gratë nuk e gëzojnë barazinë para ligjit sikur burrat sepse bëhet dallim në caktimin e të drejtave të tyre” Te ne mungon vetëdija e mashtrimeve financiare në martesë që është një fenomen shumë i përhapur në shoqërinë tonë”, tha ajo, raporton EO.

Aliu foli dhe për Ligjin e Punës që sipas saj nuk po respektohet e sidomos kur gratë duan të krijojnë familje ato pengohen nga punëdhënësi.

“Ekziston Ligji i Punës dhe normalisht duhet të respektohet mirëpo në vendin e punës ka nevojë që të drejtat e grave të forcohen, të respektohen më shumë. Një problematikë e veçantë është kur gratë janë në moshën e krijimit të familjes dhe diskriminohen nga punëdhënësi sepse punëdhënësi mendon që kur e merr në punë ajo mbet shtatzënë dhe pastaj do ta ketë për obligim që të bëjë pagesa”.

Tjetër problem po del të jetë edhe ngacmimi seksual duke përfshirë edhe Administratën Shtetërore dhe sipas Aliut kjo gjendje duhet të ndryshojë dhe gruaja të mos shihet si objekt.

“Një tjetër problematik është edhe ngacmimi seksual duke mos përjashtuar as Administratën Shtetërore dhe kjo është një vetëdije që duhet të ndryshojë sepse gruaja nuk duhet me u pa vetëm si objekt”.

Krahas punësimit edhe pjesëmarrja e grave në vendimmarrjeve në Kosovë është diskutuar shpesh, por nuk ka ndryshuar shumë gjendjen praktike

“Ligji për Barazi Gjinore e kërkon që gratë të jenë të përfaqësuara në secilën sferën minimalisht 50% ndërsa në anën tjetër në Ligjin për Zgjedhjet është e përcaktuar me 30% dhe kjo duhet të rregullohet dhe partitë politike të obligohen që të kenë në mesin e tyre 50% të grave ose të paktën të mendohet se si të rregullohet, por problem tjetër është edhe mungesa e vetëbesimit te gratë sepse hezitojnë dhe nuk rrezikojnë”.