×
  • Lajme
  • Lajme

    Grenell s’e përjashton pjesëmarrjen e Rusisë në dialog – Nuk merret me akuzat e Kurtit ndaj tij

    Reporteri
    19 Maj 2020 | 17:23

    Përfshirja e Rusisë në dialogun mes Kosovës e Serbisë, tanimë është një ide e shprehur haptaz nga Moska zyrtare, dhe e cila nuk po kundër shtohet as nga fuqitë e mëdha perëndimore.


    Aktualizimi i temës në fjalë, erdhi pas propozimit të ambasadorit rus në Beograd, Alexander Bothan Kharachenko, për përfshirjen e Moskës në procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, ndërkaq që në këtë mes, ky shtet do të përfaqësonte interesat e Beogradit, shkruan lajmi.net.

    E megjithë qëndrimet tashmë të njohura për Rusinë, SHBA-të dhe BE-ja nuk është se kanë treguar tone të ashpra kundërshtuese për përfshirjen edhe të një akteri në dialog.

    Nga zyra e emisarit special të SHBA-ve, Richard Grenell, nuk shprehen kundër involvimit rus në procesin e dialogut.

    Në pyetjen e lajmi.net se nëse përfshirja e Rusisë mund të sjellë përplasje në këtë proces, nga zyra e Grenellit thonë se janë të hapur për gjithkë që do të kontribuojë me ide në proces.

    “Duke iu përgjigjur pyetjeve të para, ne themi se gjithkush është i mirëpritur që të kontribuojë me ide që mund të sjellin paqe, stabilitet dhe prosperitet për Serbinë dhe Kosovën”, ka thënë Dick Custin, zëdhënës në zyrën e Grenell.

    Lajmi.net ka pyetur në zyrën e Grenellit edhe për deklaratat e kryeministrit Kurti, që thotë se emisari i Trumpit është duke kërkuar marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë para shtatorit, në atë formë që kjo të konsiderohet si arritje e administratës amerikane para zgjedhjeve që mbahen atje.

    Në lidhje me këto deklarata, nga Zyra e Grenellit thonë se nuk kanë ndonjë koment.

    Dialogu mes Kosovës e Serbisë, tash e një kohë është në fazë totale të bllokadës, që nga vendimi i qeverisë Haradinaj për vendosjen e taksës 100% për produktet serbe.

    Ky proces nuk ka filluar as pas largimit të taksës, ndërsa që edhe zëvendësimi i saj me reciprocitet nga qeveria Kurti, nuk është mirëpritur nga SHBA-të.

    Kjo e fundit tanimë po kërkon me ngulm që në mes të Kosovës dhe Serbisë mos të ketë barriera që mund të ndikojnë në pengimin e procesit të dialogut.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!