×
  • Lajme
  • Lajme

    Greqia vazhdon të ketë qëndrimin e njëjtë për mosnjohjen e Kosovës

    Reporteri
    09 Qershor 2024 | 15:47

    Ambasadorja e Greqisë në Serbi, Maria Levanti ka thënë se qëndrimi i Greqisë vazhdon të jetë i pandryshuar për mosnjohjen e Kosovës, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një intervistë për mediumin serb “Politika”, ambasadorja greke ka thënë se Greqia mbështet me gjithë zemër synin strategjik të Serbisë për t’u bërë anëtare e BE-së.

    “Qëndrimi i Greqisë për çështjen e mosnjohjes së Kosovës mbetet i pandryshuar, siç u përsërit nga presidenti i republikës dhe kryeministri gjatë vizitave të tyre të fundit në Serbi. Për më tepër, Greqia me gjithë zemër dhe me të gjitha forcat e saj mbështet synimin strategjik të Serbisë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Lidhur me këtë, ju kujtoj deklaratën e kryeministrit grek gjatë vizitës së tij këtu, ku theksoi se nuk mund të ketë të ardhme evropiane të Ballkanit Perëndimor pa të ardhmen evropiane të Serbisë, vendit më të madh të Ballkanit Perëndimor”, tha ajo.

    “Bashkimi Evropian do të vazhdojë të funksionojë në bazë të parimeve dhe vlerave të tij themelore, pavarësisht nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të ardhshme. Për më tepër, BE-ja dëshmon me lëvizjet e saj se synon të vazhdojë me zgjerimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kapin momentin që është krijuar tani”.

    “Greqia mbështet vazhdimisht dhe me gjithë zemër të ardhmen evropiane të rajonit, hapësira natyrore e të cilit është Evropa dhe Bashkimi Evropian. Ndërkohë, sot nuk mund të flitet për një krizë të re në marrëdhëniet reciproke mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, ndoshta ka disa mosmarrëveshje të përkohshme që do të hekurosen”, tha tutje Levanti për mediumin serb.

    Ambasadorja Levanti beson se Bashkimi Evropian synon të vazhdojë me zgjerimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përmendur këtu planin e rritjes prej gjashtë miliardë eurosh.

    “Unë besoj fuqishëm se Bashkimi Evropian me lëvizjet e tij të fundit (si plani i zhvillimit të Ballkanit Perëndimor prej gjashtë miliardë eurosh dhe deklaratat e vazhdueshme të zyrtarëve evropianë) dëshmon se synon të vazhdojë me zgjerimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që në në të njëjtën kohë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kapin vrullin që është krijuar tani”, tha ambasadorja greke në Beograd./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!