Për bashkëshorten e Liburn Aliut, Lumnije Aliu, Gazeta Online Reporteri.net javën e kaluar raportoi se veçse është rehatuar me punë në shtet, në pozitën si “Eksperte për Transparencë dhe Qasje në Dokumente Publike” në Agjencinë e Informimit dhe Privatësisë.
Tashmë konfirmimi është bërë edhe nga ky vet institucion shtetëror përmes një përgjigje me shkrim për Gazetën Online Reporteri.net ku thuhet se Lumnije Aliu ka filluar punën më 15 korrik të këtij viti, ndërsa përzgjedhja për këtë pozitë është bërë me 8 korrik 2024 nga Njësia e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore e AIP-it.
Në renditjen përfundimtare të kandidatëve, sipas njoftimit të Njësisë së Menaxhimit të Burimeve Njerëzore të AIP-it, Lumnije Aliu kishte rezultuar më e suksesshmja, gjithsej me 82 pikë. Nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, thonë se kriter për këtë pozitë ka qenë “diploma e arsimit të lartë e nivelit të parë (Bachelor)“, derisa kanë thënë se e njëjta ka të përfunduar “Shkencat Kompjuterike“.
“Hapja e konkursit për pozitën “Ekspert për Transparencë dhe Qasje në Dokumente Publike” në AIP është bërë në bazë të Rregullores Nr.03/2024 për themelimin e marrëdhënies së punës me kontratë për periudhë të caktuar. E drejta për të aplikuar në cilëndo pozitë me konkurs të hapur është e drejtë e secilit qytetar, ashtu siç e parasheh ligji në fuqi. Kriter i konkursit ka qenë Diplomë e arsimit të lartë e nivelit të parë (Bachelor). Përgatitja profesionale e së njëjtës është Diploma në Shkencat Kompjuterike“, thonë nga AIP-i.
Gjithmonë sipas tyre, në këtë pozitë si Eksperte për Transparencë dhe Qasje në Dokumente Publike pranë këtij institucioni shtetëror të pavarur, në të cilën tashmë veçse është punësuar Lumnije Aliu – bashkëshortja e Liburn Aliut – mund të aplikonte çdo qytetar, dhe se procesi ka qenë përgjegjësi e Njësisë së Menaxhimit të Burimeve Njerëzore të AIP-it dhe Komisionit të Pranimit që themelohet me Vendim nga Drejtori i Përgjithshëm i AIP-së.
Të pyetur konkretisht nga gazeta online Reporteri.net se a është Lumnije Aliu bashkëshortja e ministrit, Liburn Aliu, nga AIP kanë thënë se “në konkurs nuk është kërkuar certifikata e martesës“.
“Në bazë të rregullativës ligjore në fuqi, procesi i rekrutimit, duke filluar që nga hapja e konkursit e deri të përfundimi, është përgjegjësi e Njësisë së Menaxhimit të Burimeve Njerëzore të AIP-së dhe Komisionit të Pranimit që themelohet me Vendim nga Drejtori i Përgjithshëm i AIP-së. Ju njoftojmë se edhe në këtë proces, si çdo proces tjetër të rekrutimit, ne kemi ftuar shoqërinë civile për të monitoruar zhvillimin e intervistimit me qëllim të transparencës së proceseve rekrutuese“, thuhet në përgjigjen e AIP-it për Reporteri.net.
Bazuar në disa deklarime të më hershme të pasurisë së Liburn Aliut, para se ai të kishte postin ministror, gruaja e tij deklaronte se ishte e punësuar në kompani private që lidheshin me lëminë e inxhinierisë dhe projektimeve.
Gazeta Online Reporteri.net të enjten ka provuar ta kontaktojë me SMS edhe Ministrin Aliu për të konfirmuar se Lumnije Aliu është gruaja e tij, dhe nëse ai ka ndikuar në punësimin e saj në AIP, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.