Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka komentuar publikimin e mesazheve të Dijona Mihalit dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.
Përmes një postimi në Facebook, Gruda ka thënë se mesazhet e publikuara “dëshmojnë” se Vetëvendosje funksionon si parti-shtet, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Mesazhet e publikuara të Dejona Mihajlit zbulojnë një të vërtetë tronditëse: LVV nuk funksionon thjesht si një parti politike, por si një parti-shtet në formën më të pastër të fjalës. Në këtë skemë, organet shtetërore janë shndërruar në marioneta të plota të strukturave partiake, ku vendimet e rëndësishme nuk merren në institucione shtetërore, por në zyrat e partisë. Dejona Mihajli, pa asnjë titull zyrtar, i kërkon drejtorit të KEK-ut – i cili duhet të jetë i pavarur dhe jopolitik – të shkojë në selinë e LVV-së për të diskutuar çështje të KEK-ut. Madje, ai duhet të dorëzojë përgjigjet për ministren vetëm pasi ato të kenë kaluar nga dora e Dejonës”, ka shkruar Gruda në Facebook.
Më tej, Gruda ka thënë se komitetet e VV-së po shfaqen si organe paralale me ministritë, e që sipas tij, janë duke ushtruar kontroll dhe ndikim të fshehtë mbi çdo vendimmarrje shtetërore.
“Cili është roli i Dejonës në këtë skemë? Ajo është koordinatore e komiteteve të LVV-së, komitete që po shfaqen si organe paralele me ministritë, duke ushtruar kontroll dhe ndikim të fshehtë mbi çdo vendimmarrje shtetërore. Kjo na rikthen në kujtesë mënyrën si funksiononte shteti në komunizëm”, ka shkruar tutje ai.
/Reporteri.net/.