×
  • Lajme
  • Lajme

    Gucati e Haradinaj kanë ende gjasa të lirohen para vitit të ri, vendimi në fund të dhjetorit

    Reporteri
    10 Dhjetor 2020 | 10:51

    Dhomat e Apelit në kuadër të Gjykatës Speciale në Kosovë, kanë hedhur poshtë dje kërkesën e kryetarit të OVL UÇK-së, Hysni Gucati në lidhje me mbajtjen e një seance dëgjimore, për shkak se i njëjti konsideronte se ka pasur shkelje në procesin e arrestimit dhe mbajtjes së tij në paraburgim në Hagë.


    Ky vendim i apelit vjen pasi që palët e përfshira, Prokuroria dhe Mbrojtja kishin dërguar parashtresat me shkrim në dhomën e Apelit. Aty mbrojtja pretendonte se ka shkelje të rënda ligjore në mbajtjen e Gucatit në paraburgim, duke aluduar po ashtu se kjo ka devijuar edhe në shkelje të të drejtave të njeriut, shkruan lajmi.net.

    Sidoqoftë, Gucati e Haradinaj ende kanë mundësi të lirohen para vitit të ri. Gjykatësi i Procedurës Paraprake, ka nënvizuar se më 27 tetor e kishte marrë vendimin e fundit në lidhje me vazhdimin e paraburgimit për Gucatin e Haradinajn.

    Ky vendim, përbënte hedhje poshtë të ankesës së mbrojtjes së krerëve të OVL-së për lirim të përkohshëm.

    Gjyqtari i procedurës paraprake ka nënvizuar se bazuar në nënin 41, pika 10 të Ligjit të Aplikueshëm, pas skadimit të dy muajve që nga vendimi i fundit për paraburgim, do të shqyrtohen rrethanat se nëse ekzistojnë ende arsyet për zgjatjen e tij, dhe me këtë rast do të merret vendim për zgjatjen apo vazhdimin e paraburgimit.

    Bazuar në këtë praktikë dhe dispozitë ligjore, Gucati dhe Haradinaj do të kenë kohë që deri më 18 dhjetor, e premte të dorëzojnë parashtresat me shkrim, ku do të arsyetojnë kërkesën e tyre për lirim nga paraburgimi, dhe argumentet pse sipas tyre kanë pushuar arsyet e mbajtjes së mëtutjeshme.

    Gjyqtari i Procedurës Paraprake, përveç mbrojtjes së Gucatit e Haradinajt, këtë kërkesë ia ka parashtruar edhe Prokurorisë së Specializuar, e cila do të dërgojë parashtresat e saj deri në datën e lartëshënuar.

    “Gjykatësi paragjyqësor vëren se z. Gucati dhe z. Haradinaj kanë qenë në paraburgim që nga arrestimi i tyre përkatësisht në 25 dhe 26 Shtator 2020, dhe ndalimi i tyre ishte rishikuar për herë të fundit më 27 tetor 2020. Në këtë rast dhe në përputhje me nenin 41 (10) të Ligji dhe Rregulli 57 (2) i Rregullave, rishikimi tjetër i paraburgimit të tyre duhet të ndodhë dy muaj nga vendimi i fundit mbi paraburgimin, përkatësisht vendimet për rishikimin e paraburgimit, dhe si pasojë kjo duhet të ndodhë deri më 27 dhjetor 2020”, thuhet në vendimin e gjykatësit.

    Kësisoj një vendim për dy krerët e OVL-së së UÇK-së pra pritet të mirret deri më 27 dhjetor.

    Rikujtojmë se Gucati e Haradinaj janë arrestuar në Prishtinë në fund të shtatorit.

    Ndaj tyre më 30 tetor, Prokurori i Specializuar ka paraqitur një aktakuzë që ka të bëj me veprat penale të administrimit të drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve e hakmarrje, e që ndërlidhen me publikimin e dosjeve të rrjedhura nga Specialja.

    Avokatë të akredituar të Speciales, për lajmi.net ndërkaq ishin shprehur se gjykimi ndaj Haradinajt e Gucatit mund të marrë më pak kohë se gjykimi ndaj ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, pasë parasysh se ata nuk akuzohen për krime lufte.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!