Ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale dhe me nga 100 euro gjobë, shkruan Reporteri.net.
Që të dy janë shpallur të pafajshëm për pikën 4, atë të hakmarrjes.
Sipas trupit gjykues, Gucati e Haradinaj qëllimshëm kishin zbuluar informacionet e mbrojtura dhe rrezikuan dëshmitarët. Është konstatuar edhe pengesa e zyrtarëve në kryerjen e detyrës zyrtare.
“Në emër të popullit të Kosovës, për arsyet e shtjelluara, Trupi Gjykues, ju shpall ju fajtor për: pengim të personave zyrtar nëpërmjet kërcënimit të rëndë, pengim i personave zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, frikësim gjatë procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar informacionit të fshehtë, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të identitetit të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, në leximin e vendimit.
Nga këto 4 vite e gjysmë burgim, dy krerëve të OVL-UÇK-së do t’ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 20 muajsh.
Gucati dhe Haradinaj do ta vuajnë dënimin për 2 vite e 8 muaj.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020.
Në aktakuzën ndaj Gucatit e Haradinaj, parashtrohet se midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tri konferenca për shtyp dhe transmetime të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj zbuluan, pa autorizim, informacion të mbrojtur nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përfshirë të dhëna personale të disa dëshmitarëve (të mundshëm). Gjithashtu, të akuzuarit bënë komente nënçmuese dhe akuzime kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehën synimin e tyre për të dëmtuar Dhomat e Specializuara./Reporteri.net/