Në Prishtinë është mbajtur protesta e paralajmëruar kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26%.
Protesta është zhvilluar para objektit të Bankës Qendrore të Kosovës, ndërsa aty janë mbledhur një numër solid i qytetarëve. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, i ka ftuar në takim organizatorët e protestës kundër vendimit për rritjen e çmimit të sigurimit për vetura, shkruan Reporteri.net.
Protestuesit kanë thënë se nuk do të tërhiqen derisa të kthehet vendimi i vjetër. Ata kanë paralajmëruar se ditëve në vijim protesta vetëm se do të radikalizohet, nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre.
Ata kanë kërkuar që të kthehet vendimi i mëhershëm për sigurimin e veturave, pas që sipas tyre, ky i tanishmi është papërballueshëm për qytetarët.
Kujtojmë se protesta është organizuar nga grupi “Merakli t’kerreve”.
Një protestë tjetër është paralajmëruar për nesër prej orës 16:00, para objektit të BQK-së nga grupi “Speedomaniaks”. /Reporteri.net