×
  • Lajme
  • Lajme

    Haga dështoi ta marrë në pyetje Blerim Kuçin

    Reporteri
    11 Prill 2019 | 14:49

    Vetëm rreth një orë ka zgjatur paraqitja e Blerim Kuçit, para Prokurorit të Specializuar për Kosovën, në Hagë. Mbrojtja në heshtje e tij, e ka pamundësuar marrjen në pyetje të ish-pjesëtarit të UÇK-së, sot deputeti i AAK-së në Kuvendin e Kosovës.


    Vetëm pak ditë pas kthimit nga Haga, ku shoqëroi klientin e tij për intervistim për krime lufte në Zyrën e Prokurorit të Specializuar për Kosovë, avokati Artan Qerkini, ka treguar për Gazetën Online “Reporteri.net”, arsyen se pse deputeti Kuçi u mbrojt në heshtje, të hënën.

    Sipas tij, Specialja në thirrjen e klientit të tij si i dyshuar për krime lufte, që pranoi para gati dy muajve, nuk i ka specifikuar atij rastet penale për të cilat do të merret në pyetje.

    “Kemi pasur një debat para dhe pas intervistimit, sepse ne mbrojtja, nuk jemi pajtuar për disa koncepte të prokurorisë në lidhje me interpretimet se si ia bëjnë ata personit të dyshuar. Sepse, ata thonë se ka një interpretim të gjerë për personin e dyshuar, ne pretendojmë se ky interpretim nuk është në përputhje me ligjet vendore dhe ndërkombëtare. Për shkak të sigurisë juridike, një person i cili merret në pyetje, duhet ta dijë qartë statusin e tij, jo të ketë mëdyshje në lidhje me statusin e tij”, tha avokati Qerkini.

    “Dhe për shkak të sigurisë juridike, ne i sugjeruam zotëri Kuçit që të mbrohet në heshtje. Kjo është e garantuar me kushtetutë”, shton avokati i Blerim Kuçit, në bisedën me Reporteri.net.

    Tutje, sipas avokatit Artan Qerkini, intervistimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së, sot deputeti i Kuvendit të Kosovës, ka përfunduar me të deklaruar Kuçi se do të mbrohet në heshtje. Ndaj, thotë se i gjithë procesi i së hënës në Zyrën e Prokurorit të Specializuar për Kosovën, nuk ka zgjatur më shumë se një orë.

    “Në momentin kur ju i thoni prokurorit se ju doni të mbroheni në heshtje, ai nuk ka të drejtë të ua parashtrojë asnjë pyetje”, tha avokati kosovar.

    “E gjitha procedura nuk ka zgjatur më shumë se një orë”, shtoi ai.

    Blerim Kuçi kishte pranuar ftesë për intervistim për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në shkurt të këtij viti. Për këtë ai kishte njoftuar vetë, duke treguar se për në Hagë do të udhëtonte më 7 prill të këtij viti.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën, e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale, ftesat e para për ish-pjesëtarët e UÇK-së ka nisur t’i shpërndajnë qysh në dhjetor të vitit të shkuar.

    EKSKLUZIVE: Rreth 40 ftesa të reja vijnë nga Haga për ish-ushtarë të UÇK-së, përfshirë edhe ish-komandantë

    Prej dhjetorit të vitit të shkuar, kur janë shpërndarë ftesat e para në Kosovë, për intervistim në Hagë të ish-pjesëtarëve të UÇK-së për krime lufte, e deri më sot, janë intervistuar rreth 20 të tillë – në mesin e tyre edhe ish-eksponentë të hierarkisë së këtij grupimi ushtarak për çlirimin e Kosovës.

    Reporteri.net, më 29 mars 2019 ka raportuar se rreth 40 ftesa të reja për ish-ushtarë të UÇK-së, përfshirë edhe figura të larta në hierarkinë e saj, kanë mbërritur nga Haga në Kosovë. Thirrjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Kosovën, janë për dy muajt e ardhshëm Prill dhe Maj të këtij viti. Në mesin e të ftuarve ka edhe deputet të Kuvendit të Kosovës, ka shkruar Reporteri.net, duke u thirrur në burime të afërta me procesin.

    Nga ana tjetër, e para figurë kyçe e UÇK-së që është intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte qenë Sokol Dobruna, ish kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.

    Marrja në pyetje e tij kishte ndodhur në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2018.

    I pari që kishte udhëtuar në Hagë për t’u intervistuar për krime lufte kishte qenë ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa – ish-deputet i PDK-së i njohur si Remi. Bashkë më të, për në Hagë kishte udhëtuar edhe bashkëpartiaku i tij ish-komandanti i Drenicës, Sami Lushtaku – që pas luftës për disa vite ka drejtuar komunën e Skenderajt.

    Para prokurorëve të Specializuar intervistë për krime lufte në janar të këtij viti ka dhënë edhe ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së Sylejman Selimi. Ky i fundit, tash këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, u morr në pyetje në Prishtinë, pasi në datën kur u ftua në Hagë nuk udhëtoi, me arsyetimin se ishte i sëmurë.

    Ftesën për në Hagë, përveç deputetit të AAK-së Blerim Kuçi e ka njoftuar publikisht edhe bashkëpartiaku i tij, ish-deputeti Lahi Brahimaj. Ky i fundit, daja i kreut të AAK-së dhe kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj.

    Brahimaj, sikurse nipi i tij Haradinaj, janë përballur edhe me parë më drejtësinë ndërkombëtare, duke dalë të pafajshëm nga Tribunali i Hagës.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara për Kosovën, me seli në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015.

    Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara dhe Prokurori Special u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

    Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Evropës në janar të 2011.

    Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.

    Hashim Thaçi është emri më i përmendur në këtë raport “për trajtim çnjerëzor dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë”.

    Ish-lideri politik i UÇK’së gjatë luftës, e shef i Qeverisë së Përkohshme menjëherë pas saj, përmendet 26 herë në këtë raport, mbi bazën e të cilës 16 vite më pas u themeluan të ashtuquajturat Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë.

    Në raport, përveç Hashim Thaçit, përmenden edhe ish-drejtuesit tjerë të UÇK-së, si: Kadri Veseli, Azem Syla, Fatmir Limaj , Xhavit Haliti, Shaip Muja e Ramush Haradinaj. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!