Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar se kanë pranuar një korrespodencë nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu lidhur me rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi për moslejimin e tij në varrimin e babait dy ditë më parë.
Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi Michael Doyle s’pranoi të jepte detaje mbi korrespodencën e dërguar.
“Konfirmojmë se Dhomat e Specializuara kanë marrë korrespondencë nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës për këtë çështje. Ne nuk japim detaje mbi korrespondencën tonë nëse nuk bëhet pjesë e një dosjeje publike”, tha Doyle për Reporteri.net.
Për moslejimin e Thaçit për pjesëmarrje në varrim, Ministrja Haxhiu kishte thënë se është një vendim i padrejtë dhe absurd, ndërsa kishte paralajmëruar se do t’i shkruante Dhomave të Specializuara.
“Proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta e të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit. Andaj, krejt absurde nga ajo që kuptuam nga mediat se ish-presidentit Thaçi nuk i është dhënë leja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babës. Lidhur me këtë vendim të padrejtë do t’i shkruaj kryetares së Dhomave të Specializuara”, kishte shkruar Haxhiu në Facebook.
/Reporteri.net/