Deputeti i pavarur, Haki Abazi në seancën e Kuvendit të Kosovës ku ndër të tjera po flitet edhe për komunikimet e publikuara ndërmjet Dejona Mihalit dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka thënë se kishte paralajmëruar para dy-tri vitesh për çështjen e Mihalit.
Abazi ka thënë se deputetëve të VV-së iu është dhënë urdhër sot që të mos marrin pjesë në seancë. Abazi tha se ky është përfaqësim me shantazh dhe thyerje e rregullave të demokracisë.
“Kur kam folë para dy tre viteve për çështjen e Dejona Mihalit shumica e njerëzve konsideronin se kjo është vetëm përballje fjalësh. Kjo është fyerje e dhunim i përfaqësimit qytetar, është mungesë totale e veprimit demokratik të institucioneve. Rrjedhimisht kemi ardhë në pikëpyetje të asaj që quhet transparencë, besim ndaj qeverisë. Një qeverisje, llogaridhënie dhe përgjegjshmëri, janë pjesa kryesore e të qenit qeveri demokratike. Fakti që sot vazhdojnë mos me qenë prezent këtu, duhet ta kuptoni që është dhënë një urdhër i vetëm – mos shkoni në Kuvend se po ju mani debatin opozitës. Kjo është fjalia me të cilën përballet çdo deputet i VV-së që nëse shkon, nëse paraqitesh mediave me u përballë me qytetarët dhe mediat apo edhe një debat ndërpolitik, i bie që nuk mund të jenë pjesë e VV-së. Ky është përfaqësim me shantazh. Kjo është thyerje e rregullave të demokracisë që deputeti ka mendim të pavarur. Vetëm në komunizmin sllav nuk ka ekzistu mundësia që të jesh deputet që ke të drejtë të fjalës. Logjika e fyerje e denigrimit të parlamentit vazhdon edhe jashtë”, ka thënë Abazi në seancën e Kuvendit. /Reporteri.net/