Deputeti i LVV-së, Haki Abazi, ka thënë se brenda grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje është mbytur zëri demokratik.
Ai ka drejtuar akuza ndaj anëtares së Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosjes, Dejona Mihalit, të cilën e ka quajtur “mashë të kontrollit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes”.
Abazi kritika ka hedhur edhe në drejtim të Mimoza Kusari-Lilës, shefe e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje të cilën e ka quajtur “Çadra e Gadafit”, shkruan Reporteri.net.
“E zier brenda çadrave të Gadafit. Këtë valle e kemi pa edhe më herët, ka shkatërruar parti politike. Çadra e Gadafit ka votu edhe marrëveshje të dëmshme për interesin e Kosovës, që dikur kanë qenë kauza të VV-së”, ka thënë ai ndër të tjera.
I pyetur nga gazetarët se a është seksist ky cilësim i tij për Kusari-Lilën, Abazi ka thënë se halli i tij është tek demokracia.
“Çadra e Gadafit”. Unë mendoj që po flas për një fakt real dhe për fakte reale të trajtimit të demokracisë përbrenda. Nëse vendimmarrja nuk bëhet në grup parlamentar, duhet gjetur burimi se ku bëhen këto. Nëse këto bëhen tek “çadra e Gadafit”, ju mund ti merrni si të doni por unë brengën e kam te demokracia”, u shpreh ai.