×
  • Lajme
  • Lajme

    Halil Matoshi e Muharrem Nitaj pritet të marrin pozita në Qeverinë Hoti

    Reporteri
    10 Qershor 2020 | 17:56

    Nuk dihet se sa zëvendësministra do të emërohen në Qeverinë e Avdullah Hotit, megjithatë AAK’ja e Ramush Haradinajt tashmë ka zgjedhur disa prej tyre. Halil Matoshi e Muharrem Nitaj pritet të jenë dy nga ta.


    Akoma nuk është emëruar asnjë zëvendësministër në Qeverinë e Avdullah Hotit, partnerët e koalicionit LDK-AAK-Nisma-minoritetet nuk e kanë saktësuar se sa do të jetë numri i tyre.

    Zëvendësministrat e qeverive të fundit kryesisht janë përmendur për numrin e madh të tyre. Para Qeverisë Kurti, ishin emëruar rreth 70 dhe 80 të tillë, ndërsa LDK e Lëvizja Vetvendosje e reduktuan numrin e tyre në 35.

    Gazeta Express mëson se AAK-ja për këtë pozitë ka zgjedhur disa prej zyrtarëve të saj, përfshirë Halil Matoshin e Muharrem Nitajn.

    Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, në një përgjigje për Gazetën Express e ka konfirmuar se emri i tij për përmendet për zëvendësministër brenda partisë.

    “Aleanca është në një fazë diskutimi për përzgjedhjen e zëvendësministrave nga radhët e saj dhe këtë çështje po e diskuton ne forumet e saj. Janë diskutuar disa emra e ne mesin e tyre edhe emri im, por ende nuk ka një vendim final”, ka thënë nënkryetari i AAK-së.

    Nitaj pritet të emërohet zëvendësministër në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, të cilën e udhëheq Blerim Kuçi i AAK-së.

    Publicisti dhe shkrimtari, Halil Matoshi, që ishte këshilltar i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, pritet të emërohet zv.ministër në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, të cilën edhe udhëheq Vlora Dumoshi i LDK-së.

    Emra të tjerë që po diskutohen për zv.ministra janë edhe Magbule Shkodra nga Forumi i Gruas së AAK-së, Arbër Grabovci nga dega e AAK-së në Pejë, Driton Bardheci nga Aleanca e të Rinjve.

    LDK-ja po i diskuton emrat e zëvendësministrave të saj me kryetarët e degëve, ndërsa akoma nuk ka vendosur për ta.

    Në marrëveshjen e LDK-së dhe AAK-së për koalicion qeverisës është thënë se numri i zëvendësministrave do të shpërndahet “konform fuqisë politike të partnerëve të koalicionit, në shpërndarjen e ministrive”.

    Qeveria Hoti ka katër zëvendëskryeministra dhe 16 ministra. Ajo u votua me 3 qershor, pasi Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë dekretit të Presidentit për mandatimin e Hotit për formimin e Qeverisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!