Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Enver Haliti ka komentuar sondazhin e UBO-s të publikuar sot nga gazeta online Reporteri.net. Sipas matjeve të fundit nga “UBO Consulting”, i siguruar ekskluzivisht nga Gazeta Online Reporteri.net, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje renditet në vend të parë me 49.6 për qind.
Ajo pasohet nga Partia Demokratike e Kosovës e cila gati ka ruajtur përqindjen e njëjtë krahasuar me sondazhin e marsit ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës doli e treta.
Deputeti Haliti në “Debat Plus” ka thënë se rezultati i sondazhit duhet të jetë shqetësues për partitë e tjera.
Ai ka shtuar se rezultati tregon se është në nivelin e përqindjes së zgjedhjeve të vitit 2021.
“Ky rezultat, nëse merret bashkërisht “Guxo” me Lëvizjen Vetëvendosje tregon se është po në nivelin që e ka arritur në vitin 2021. “Guxo” është e ndarë me Lëvizjen Vetëvendosje, por si koalicion i bie 50.1 për qind. Do të thotë kalojnë të dyja së bashku. Mbërrijnë prapë përqindjen që e ka pasur, duke mos llogaritur përqindjen e votave të mërgatës”, ka thënë Haliti.
“Është rezultat që tregon në përgjithësi për qeverinë dhe koalicionin, ndërsa për partitë e tjera ky sondazh duhet të jetë shumë shqetësues”, ka shtuar ai.
Sondazhin e ka komentuar edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Ajo ka thënë se sondazhi nuk përkon me matjet që LDK-ja po i realizon në vazhdimësi, duke shtuar se LDK-ja, aktualisht ka trend rritës.
“Bëjmë matje jo për t’u lavdëruar po për kahje politike. Matjet tona, tregojnë që LVV-ja ka rënie drastike e ne kemi një trend rritës, kemi një pozicion të dytë por shumë larg prej të tretit”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se sondazhi i publikuar sot, ia ka kujtuar “huqjet në zgjedhjet lokale në Prishtinë”.
“Publikuesi apo sponsorizuesi i sondazhit mi kujtoi zgjedhjet lokale në Prishtinë. Një natë para zgjedhjeve e ka çitë Arben Vitinë 52 për qind, Uran Ismailin të dytin edhe Përparim Ramën të tretin dhe na sot e dimë kush udhëheq me Prishtinën. Diku 32 për qind ia ka huqë. Ne si LDK nuk i marrim seriozisht këto sondazhe, i kemi matjet tona”, u shpreh ajo.
Për këtë sondazh ka reaguar edhe deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, pas Mefail Bajqinovcit.
Basha ka thënë se rezultatet e sondazhit tregojnë se qeveria e Kurtit po punon dhe për këtë po vazhdon edhe mbështetja qytetare për të.
“Mbështetja vazhdon, siç vazhdon edhe puna e pandalshme dhe e ndershme e Qeverisë Kurti! Sigurisht se këtij sondazhi në fund i shtohet edhe mërgata, porsi qershia mbi torte”, ka shkruar Basha duke publikuar edhe rezultatin e sondazhit.