×
  • Lajme
  • Lajme / Zvarritja e procedurave

    Haliti, QKRMT: Një viktimë e dhunës seksuale është dashur të presë 7 vjet për t’iu njohur e drejta e saj

    Reporteri
    16 Qershor 2025 | 21:13

    Fatmire Haliti, juriste në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka deklaruar se viktimat e dhunës seksuale po përballen me ritraumatizim institucional për shkak të zvarritjes së procedurave gjyqësore.

    “Pikërisht tek rastet e ndjeshme, siç janë viktimat e dhunës seksuale, ka specifika të veçanta, sidomos çështjet që lidhen me ritraumatizimin, pasi që çdo proces gjyqësor – ballafaqimi me kryerësin – i shkakton trauma të reja viktimës”, tha Haliti.

    Ajo përmendi rastin e një të mbijetuare, e cila që nga viti 2018 ishte në pritje për njohjen e statusit të saj si viktimë e dhunës seksuale. Sipas saj, vetëm para pak javësh, Gjykata e Apelit e kishte konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për njohjen e këtij statusi.

    “Nga komisioni në gjykatë dhe anasjelltas, kjo grua është dashur të presë 7 vite për t’i njohur një të drejtë që i takon me ligj. Një viktimë që ballafaqohet me trauma afatgjata, që stigmatizohet nga shoqëria dhe rrethi, nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë nga institucionet e drejtësisë”, u shpreh Haliti.

    Ajo shtoi se kanë pasur edhe raste të tjera ku tri të mbijetuara e gëzojnë tashmë pensionin e dyfishtë me vendim të formës së prerë, si dhe janë kompensuar retroaktivisht për vitet e pritjes./Betimi për Drejtësi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!