×
  • Lajme
  • Lajme / Ftesa e Kurtit

    Hamza: Lajm i mirë që zgjedhjet e parakohshme janë temë diskutabile, takimet si ajo e djeshmja të shpeshtohen

    Reporteri
    14 Maj 2024 | 19:09

    Kandidati për kryeministër të Kosovës, nga Partia Demokratike, Bedri Hamza, tha se është tejet e rëndësishme që më në fund po hapet mundësia që të flitet për çështjet të cilat në të vërtetë i preokupojnë qytetarët dhe shtetin tonë: stagnimin ekonomik, rritjen enorme të çmimeve, pensionet dhe pagat e vogla, shëndetësinë dhe arsimin që kanë probleme të mëdha.

    “Këto tema kanë degraduar mirëqenien e qytetarëve tanë – këtyre sfidave duhet t’u japim zgjidhje sa më parë. Prandaj, është lajm shumë i mirë që tashmë zgjedhjet e parakohshme, të cilat PDK i ka kërkuar për një kohë të gjatë, janë pjesë e diskutimeve publike – përfshirë edhe propozimet konkrete për datën e tyre”, shkroi Hamza në Facebook.

    Sipas Hamzës, takimi i mbrëmshëm nuk duhet të shihet si diçka e jashtëzakonshme.

    “Përkundrazi, takime të tilla unë pres të shpeshtohen në vendin tonë në të ardhmen, në mes të gjithë spektrit politik, sepse ky ka qenë dhe do të jete modeli im i qeverisjes”, tha ai.

    “Bashkëpunimi dhe dialogu në interes të qytetarëve dhe shtetit – është mënyra se si unë e shoh funksionimin e përgjegjshëm mes akterëve politik”, përfundoi Hamza.

    Zgjedhjet e parakohshme ishin temë e diskutimit në një takim dy orësh mes kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi. Krasniqi ishte i vetmi lider opozitar që i shkoi Kurtit në darkën e punës, në të cilën kishte ftuar edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdxihiku dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj. Që të dy kishin refuzuar ftesën, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Për mundësinë e zgjedhjeve të reja – më pak se një vit para përfundimit të mandatit të Qeverisë aktuale – foli vetë Kurti më 13 maj, por jo shumë edhe për arsyet.

    “Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por të muajve, andaj unë jam i interesuar të diskutoj me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës, më mirë është në pranverë ose në vjeshtë”, tha Kurti për gazetarët, pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

    rasniqi, i cili ishte i vetmi nga opozita që iu përgjigj ftesës së Kurtit për të diskutuar agjendën legjislative, tha se zgjedhjet janë të domosdoshme.

    Ai tha se PDK-ja është e gatshme të gjejë dakordim me të gjitha partitë parlamentare për të shpërndarë Kuvendin “përmes një mocioni të përbashkët”.

    “Ne nuk jemi në gjendje të mirë, Kosova është në agoni. Kemi një ekonomi të stagnuar, rritje enorme të çmimeve, paga dhe pensione të vogla, të cilat nuk iu mjaftojnë familjeve kosovare të lidhin muajin me muaj”, tha Krasniqi.

    Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë tha përmes një komunikate për media, të lëshuar më 14 maj, se nuk do të bëhet pjesë e asnjë “marrëveshjeje të pre-aranzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave”.

    “LDK-ja i fton të gjitha palët politike që, në këtë kohë, të kërkojnë dhe të punojnë vetëm në drejtim të dorëheqjes legale të kryeministrit, sepse ajo faktike tashmë ka ndodhur”, sipas LDK-së.

    Dorëheqjen apo shkarkimin e kryeministrit Kurti e kërkoi edhe partia tjetër në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    “AAK-ja do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti”, shkroi kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në llogarinë e tij në Facebook, më 13 maj.

    Zgjedhjet e reja, çështje muajsh – çka u tha mbrëmë pas takimit mes Kurtit e Krasniqit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!