Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, para fillimit të seancës së jashtëzakonshme për çështjen e presidentit, ka thënë se për PDK’në kjo çështje është e mbyllur.
I pyetur nëse votojnë për një kandidat nga familja Jashari, Hamza ka thënë se nuk kanë ndryshuar qëndrim për ndonjë kandidat nga kjo familje.
“Nuk mund të flasim mbi bazën e situatave hipotetike. E ruajmë vlerësimin dhe konsideratën më të lartë për familjen Jashari. E kemi dhënë qëndrimin tonë dhe qëndrimi ynë nuk ndryshon. Zyrtarisht i kemi vetëm dy kandidatë. Kemi thënë që fillimisht të ketë marrëveshje mbi parime të caktuara dhe pastaj të vijmë dhe t’i propozojmë emrat. Emrat nuk kemi thënë që duhet të jenë nga PDK-ja”, ka deklaruar Hamza.
Hamza ka shtuar se Osmani mund të zgjidhet presidente edhe pa votat e PDK-së.
“Po që se LDK-ja e sjell Vjosa Osmanin si kandidate për presidente, mund të zgjidhet me votat me Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, ndoshta edhe deputetëve të tjerë të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Hamza.
Hamza tha se me LVV-në diskutimet asnjëherë nuk kanë arritur deri te emrat e përveçëm.