Kryeministri i Kosovës pritet së shpejti të takohet personalisht me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.
Mediat në Prishtinë raportojnë se takimi do të mbahet në Berlin më datën 6 qershor, ndërsa nuk bëhet e ditur agjenda e bisedimeve.
Njoftimi vjen më pak se një muaj nga Samiti i Berlinit, ku Haradinaj u raportua se ishte ndjerë në trysni përballë kryeqeveritares gjermane dhe shtetarëve të tjerë kur në tryezë ishte shtruar çështja e dialogut me Beogradin, dhe kryesisht e taksës maksimaliste kundrejt Serbisë.
Ndërkaq, vetëm një ditë më parë Haradinaj konfirmoi se dy qeveritë vijojnë të bashkëpunojnë ngushtë.
Nëpërmjet një statusi në Facebook ai bëri të ditur pozicionin e Gjermanisë për t’i dhënë zgjidhje kërkesës së ligjshme të Prishtinës për liberalizimin e vizave pasi janë përmbushur kriteret e nevojshme.
Vizat por edhe sqarimi i pozicioneve rreth konfliktit Kosovë-Serbi pritet të dominojnë takimin dypalësh.
Haradinaj mbetet nga të paktët kryeministra të Kosovës që priten në Gjermani nga Merkel.