Kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim, siç e quan ai, të rregull pune me ambasadorin gjerman në Kosovë, Christian Heldt.
Ndër të tjera, kryeqeveritari ka folur sërish për çështjen e liberalizimit të vizave, shkruan Reporteri.net.
Vetë Haradinaj ka treguar se, përveç liberalizimit, me ambasadorin gjerman foli edhe për zhvillimet politike në vend si dhe për vizitën e ministrin gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn.
“Takim i rregullt pune me ambasadorin gjerman në Kosovë, Christian Heldt. Diskutim përmbajtësor për zhvillimet politike në vend, vizitën e Ministrit të Shëndetësisë së Republikës Federale të Gjermanisë Jens Spahn, përparimet në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët tanë, si dhe marrëdhëniet e avancuara bilaterale ndërmjet Kosovës dhe shtetit gjerman”, ka shkruar Haradinaj pas takimit.
Ndërkohë, Haradinaj pardje foli për bashkëpunimin mes Gjermanisë dhe Kosovës, me të cilin përfshihet edhe mundësia e dërgimit të shumë mjekëve dhe infermierëve kosovar në shtetin gjerman për të punuar.
Sidoqoftë, çështja e vizave që ishte temë kryesore, ishte biseduar edhe më herët në takime të Haradinajt dhe Heldt. Madje, shefi i Qeverisë kishte thënë se kishte marrë premtim nga Gjermania që do të përkrahte Kosovën në këtë process./Reporteri.net