×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj i bën thirrje Qeverisë t’i ndihmojë fermerët në Rahovec e Suharekë

    Reporteri
    21 Maj 2020 | 13:46

    Breshëri i furishëm ka shkaktuar dëme të konsiderueshme bujqësore në Rahovec e Suharekë, duke ia vështirësuar edhe më shumë situatën në kohën kur tashmë komunat gjenden në një krizë tjetër, që është ajo e pandemisë Covid-19.


    E për këtë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shtojë vëmendjen në këto komuna, të cilat janë goditur ashpër nga stuhi me breshër e shi.

    “Rahoveci dhe Theranda, përpos përballjes me pandeminë, gjatë dy ditëve të fundit janë goditur nga reshjet e mëdha të shiut, me ç’rast nga vërshimet ka pasur dëme të konsiderueshme në bujqësi. Ndajë shqetësimin me fermerët e këtyre dy komunave, të cilëve u janë dëmtuar në masë të madhe kulturat bujqësore”, ka shkruar Kryetari Haradinaj.

    Haradinaj ka përmendur edhe veprimet e tij si ish-kryeministër kur ishte gjendur në situata të ngjashme.

    “Gjatë qeverisjes sime, kam ndarë fonde emergjente për t’iu dalë në ndihmë fermerëve dhe për rimëkëmbjen e ekonomive familjare, të cilat kanë pësuar nga reshjet dhe vërshimet në të gjitha komunat e Kosovës”, thuhet në postimin e publikuar në Facebook.

    Ai ka kërkuar nga institucionet qendrore që t’iu qëndrojnë afër fermerëve të dëmtuar.

    “Iu bëj thirrje institucioneve qendrore, që të qëndrojnë afër komunave dhe fermerëve në përballimin e kësaj situate”, thuhet në fund.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!