×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj: I gatshëm të diskutojmë kusuret e Kurtit dhe të qeverisjes së tij katastrofike në planin e brendshëm

    Reporteri
    28 Shkurt 2023 | 18:05
    Kreu i AAK'së, Ramush Haradinaj

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka falenderuar ShBA-në për mbështetjen e dhënë ndaj Kosovës, ndërsa e quan rëndësi jetike kontributin amerikan edhe në propozimin evropian, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se propozimi ka marrë mbështetjen e tij dhe të partisë që ai drejton vetëm për vendin, e siç thotë ai pa kurrfarë kalkulimi elektoral.

    Por, sipas tij, do ketë kohë të “diskutohen edhe kusuret e Kurtit dhe të qeverisjes së tij katastrofike në planin e brendshëm”.

    Postimi i plotë:

    Mirënjohës dhe falënderues për angazhimin e jashtëzakonshëm të ShBA-ve në mbështetje të Kosovës në të gjitha fazat e lirisë dhe të shtetndërtimit. Kontributi amerikan ishte i një rëndësie jetike edhe për pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që është edhe garancë sigurie dhe prosperiteti për vendin.

    Ky propozim e ka marrë mbështetjen time dhe të AAK-së, sepse kemi vlerësuar se shënon një kapitull të rëndësishëm për njohjen edhe ‘de jure’ të Kosovës. Vlerësoj se kjo ka qenë më e mira e mundshme. Kjo mbështetje është bërë ekskluzivisht për vendin dhe pa kurrfarë kalkulimi elektoral.

    Këto janë momente jetike për të ardhmen e Kosovës, prandaj kërkohet një unitet politik, i cili në asnjë rrethanë nuk mund të kuptohet si mbështetje për individin.

    Gjithmonë do të kemi kohë t’i diskutojmë kusuret e Kryeministrit dhe të qeverisjes së tij katastrofike në planin e brendshëm. Natyrisht, mbetet edhe shumë punë për tu bërë, në mënyrë që krejt ky proces kaq i rëndësishëm, të mos degradojë e të finalizohet me sukses.

    Kjo kërkon kujdes e përgjegjësi, që të sqarohen e të adresohen gjitha shqetësimet e mundshme të opinionit publik që kanë të bëjnë me aneks-marrëveshjen e cila ende nuk është bërë publike.
    Unë kam besim në ShBA-të dhe në aleatët perëndimorë, se do të na ndihmojnë si edhe deri sot, që ta përmbyllim marrëveshjen që garanton Kosovën shtet të pavarur e sovran dhe me perspektivë të qartë integruese euro-atlantike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!