×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj kundër shuarjes se Task-Forcës antikorrupsion, por ministrat e AAK’së nuk votuan kështu në Qeveri

    Reporteri
    26 Tetor 2020 | 18:58

    Përfaqësuesit e partisë së Ramush Haradinajt nuk votuan kundër propozimit që të shuhet Task Forca Anti-Korrupsion, derisa, ditë më vonë, pikërisht kjo pikë e ngjalli një betejë të re LDK – AAK.


    Pos ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, që zgjodhi të abstenojë kur kryeministri Avdullah Hoti propozoi shuarjen e Task-Forcës Anti-Korrupsion të krijuar në vitin 2010, askush tjetër në ekzekutiv nuk doli kundër.

    Pjesë e ekzekutivit, janë edhe dy ministra tjerë të AAK’së, Meliza Haradinaj-Stublla në MPJ dhe Ramë Lika në Ministri të Arsimit.

    Diskutimet për këtë temë mes partnerëve, e përplasjet që kohëve të fundit kanë arritur kulmin, rrodhën pas disa ditësh, e kur veç ndërkombëtarët i kishin dhënë kritikat e tyre karshi këtij vendimi.

    Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti, mori disa kritika nga partneri i tij kryesor në koalicion, AAK-ja, derisa i propozuari i këtij subjekti për president, Ramush Haradinaj, tha se shkarkimi i task-forcës kundër korrupsionit shkakton pasiguri juridike.

    Krejt kjo përplasje nga njohësit e çështjeve politike po shihet si betejë për të fituar poenta politikë.

    Javën që lamë pas, Qeveria ka vendosur të mbyllë këtë departamentin Anti Korrupsion, duke vlerësuar se kjo çështje tash duhet të rregullohet me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial dhe se mandati i EULEX-it, tashmë është ndryshuar.

    Sido që të jetë, misioni i EULEX-it thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta shfuqizuar Departamentin kundër korrupsionit, ngre shqetësime serioze në lidhje me zotimin e Kosovës për ta luftuar korrupsionin. Për këtë vendim të Qeverisë kanë reaguar edhe ambasadat.

    Përplasja AAK-LDK vjen pas një takimi në Kuvend të Kosovës ku krerët e partive të koalicionit u takuan për të folur për zhvillimet politike, me theks të veçantë, çështjen e presidentit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!