Përderisa nuk është dhënë ende asnjë njoftim nëse kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj, të jetë kthyer nga Haga, ku u paraqit për intervistim nga e ashtuquajtura Gjykata Speciale. Ai përmes facebook-u ka bërë një reagim për emërimin e kryeministrit të ri të Britanisë së Madhe.
Haradinaj, ka uruar Boris Johnson për zgjedhjen kryeministër të Mbretërisë së Bashkuar. Po ashtu, Haradinaj duke theksuar miqësinë e Kosovës me Britaninë e Madhe ka thënë se beson fuqishëm se Johnson dhe vendi i tij do të vazhdojnë të kundërshtojnë shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Uroj Boris Johnson për zgjedhjen Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe rikonfirmoj vullnetin e Qeverisë dhe popullit të Kosovës për thellimin e miqësisë dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve tona. Kemi punuar së bashku me Britaninë e Madhe, si aleate strategjike e Kosovës, në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit tonë dhe nën lidershipin e Kryeministrit Johnson, jam i bindur se ky bashkëpunim do të intensifikohet. Besojmë fuqishëm se Britania e Madhe do të vazhdojë qasjen e zëshme kundër idesë së shkëmbimit të territoreve”, ka shkruar Ramush Haradinaj në facebook.
Ndryshe, Haradinaj sot është intervistuar në Hagë për krime lufte nga Prokurorët e Specializuar për Kosovën. Sipas tij, pasi morri ftesën për sot nga kjo prokurori, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës, të premten e shkuar.
Haradinaj sot pas intervistës tha se u mbrojt në heshtje. /Reporteri.net/.