Në Kuvendin e Kosovës aktualisht po mbahet seancë e jashtëzakonshme për të trajtuar problemin e furnizimit me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës, raporton gazeta online Reporteri.net.
E me ç’rast, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për situatën e krijuar, të gjitha akuzat i hodhi mbi kryeministrin e vendit, Albin Kurti, madje duke e quajtur atë edhe “spiun e agjent të Serbisë”.
Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Haradinaj tha se në të kundërtën, udhëheqësi i një shteti, në asnjë mënyrë “s’do e linte ushtrinë e vet pa bukë”.
“Secili ushtar e polic s’ka shkuar për ushqimin e ato kushte e as për pagën. Ata janë në gjendje të japin nga racioni i tyre për cilindo qytetar. E kjo ndodhë pasi të gjithë ata që janë në uniformë, vajza e djem, e kanë ndarë mendjen, ata identifikohen me një karakter e dinjitet të tyre. Por, Qeveria jonë, si është?, si është kryeministri?. Unë një ditë këtu i kam thënë se është spiun i Serbisë, po është spiun i tyre, po është tradhëtar ai njëri që ushtrinë e vet e len pa bukë, çka tjetër me i thanë atij njeriu. Po bre, është spiun i Serbisë, agjent i tyre e njeri i tyre është, përndryshe kurrë s’do e linte gjendjen kështu.?”, ka deklaruar Haradinaj para deputetëve.
Më tej, kreu i AAK-së, tha se angazhimi ditor i Kurtit është i tëri mashtrim, teksa potencoi se ai vazhdimisht po punon në dobësimin e Kosovës.
“Angazhimi i Kurtit ditor, i tëri është mashtrim, ai s’punon në interes të këtij vendi, ai në mënyrë sistematike, vazhdon me e dobësu vendin që e udhëheq, me i dobësu shtyllat kryesore të vendit. Kush e mbron këtij njeri, po e mbroni njeriun që mbërrijti edhe ushtrinë ta lë pa bukë”, shtoi tutje ai.
Seanca është thirrur me kërkesë të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e mbështetur nga 43 deputetë nënshkrues.
/Reporteri.net/.