Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Albin Kurtin për mos bërjen e qeverisë, duke thënë se nuk është i interesuar ta bëjë një gjë të tillë.
Kreu i AAK-së, ka pohuar se edhe nëse formohet qeveria “Kurti”, ajo nuk do të ketë jetë të gjatë.
“Nuk ka me qenë jetëgjatë”, ka deklaruar Haradinaj në RTK, shkruan Reporteri.net.
Haradinaj ka thënë se Kurti është një njeri që ndërron qëndrimet, këtë e ka lidhur me protestën që VV kishte mbajtur në Merdare për të bllokuar hyrjen e mauneve me mallra serbe, dhe pozicionin aktual të kreut të VV-së që është pro heqjes së taksës ndaj këtyre produkteve.
“I mërdhike (aktivistët) deri në vdekje në Merdarde, nuk i heke, tash thotë duhet me heq taksën”, ka deklaruar Haradinaj.
Kujtojmë se në 22 janarin e vitit 2012 Lëvizja Vetëvendosje kishte mbajtur një protestë për t’i bllokuar pikat kufitare me Serbinë, në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë.
Për disa orë në mot tejet të ftoftë aktivistët e Vetëvendosje-s zhvilluan aksionin për të ndalur maunet me mallra serbe që të hyjnë në Kosovë.
Por VV dështoi atëkohë, pasi maunet hynë.
Në një komunikatë për media në ora 2:20 pas mesnate, partia e Kurtit kishte përmendur kufizimet nga ana e policisë dhe temperaturat e ftohtit si shkaktarë të anulimit të protestës. /Reporteri.net/.