Haradinaj: Plani i Qeverisë për mborjtjen nga virusi është i kopjuar, nuk ka lidhje me specifikat e Kosovës

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj ka bërë thirrje që menjëherë të përgatitet Parku Inovativ Trajnues në Prizren si qendër rezervë për karantinë dhe trajtim mjekësor, pas konfirmimit të 13 rasteve me koronavirus në Kosovë.


Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se Qeveria po kopjon plane të cilat nuk përkojnë me kapacitetet dhe specifikat e vendit.

“Situata me virusin COVID-19 është në pikën alarmante. Qeveria ende nuk ka bërë përgatitjet e duhura nëse gjendja përshkallëzohet. Menjëherë të përgatitet Parku Inovativ Trajnues në Prizren si qendër rezervë për karantinë dhe trajtim mjekësor duke u shërbyer me planin operativ i cili është aplikuar me rastin e tërmetit në Shqipëri, ku u strehuan të prekurit atje”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, Kosova të premtën edhe zyrtarisht ka hyrë në mesin e shteteve të prekura nga virusi i rrezikshëm, COVID-19, apo i njohur si koronavirus. Që nga dita e premte e deri më sot, në Kosovë janë 13 raste të personave të prekur me koronavirus.

Rasti i parë i konfirmuar me koronavirus është ai i 77-vjeçarit nga Stublla e Vitisë. Ai kishte hyrë më 5 mars në Kosovë nga shteti i Italisë, atje ku edhe tani situata me këtë pandemi ka dalë nga kontrolli.

I njëjti person dyshohet se gjatë qëndrimit në Kosovë ka marrë pjesë edhe në meshë, andaj shtohen dyshimet se virusin mund t’ia ketë bartur edhe personave tjerë.

Si rrjedhojë e këtij rasti, qyteti i Vitisë është futur në karantinë dhe nuk do të lejohet dalja ose hyrja e qytetarëve nga kjo komunë.

Njësoj si Vitia, edhe qyteti i Klinës është futur në karantinë. Kjo pasi që rasti i dytë i shënuar me koronavirus u konfirmua nga kjo komunë.

Një shtetase italiane, 22 vjeçare, shënoi rastin e dytë të konfirmuar me koronavirus në Kosovë. E njëjta kishte jetuar në Klinë, tek një familje kosovare, teksa besohet se ka punuar në një organizatë.

Rasti i tretë që u konfirmua dje nga Ministria e Shëndetësisë, dhe i njëjti ka lidhje familjare me rastin e parë nga Vitia.

E dy raste të tjera u konfirmuan të shtunën në mbrëmje. Një rast nga Stublla e Vitisë (kontakt i rastit të parë), i gjinisë mashkull, 42 vjeç, dhe një rast 37 vjeç, i gjinisë femërore, shtetase kosovare me qëndrim në Itali-Brescia, ka ardhur në Kosovë me datë 01.03.2020 nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari“.

Vendqëndrimi i saj në Kosovë është fshati Bubavec, Komuna e Malishevës.

Si rrjedhojë, Qeveria ka vendosur që edhe komuna e Malishevës, njësoj si ajo e Vitisë dhe eKlinës, të futet në karantinë.

Ndërkohë gjatë ditës së diel, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar edhe për katër raste të reja të kosovarëve që janë prekur me koronavirus. Ai tha se nga katër rastet e reja, tre janë nga Malisheva, kontakte të rastit të parë, dhe një rast i ri nga komuna e Podujevës.

Megjithëkëtë, raste të reja u paraqitën edhe gjatë ditës së hënë.

Para pak çastesh, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se janë konfirmuar edhe katër raste të reja të të prekurve me koronavirus në Kosovë. Sipas tij, këto raste të reja janë nga fshati Stubëll i Vitisë, familjarë të ngushtë të të moshuarit që u konfirmua i pari me pandemi.