×
  • Lajme
  • Fokus 2 / Kushtetuesja
    INSTANT

    Haradinaj reagon pas vendimit: U krijua baza ligjore për të dalë nga ngërçi

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 19:44

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

    Ai ka thënë se është krijuar baza ligjore për dalje nga ngërçi.

    Postimi i plotë:

    Në një situatë të një bllokade totale të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe konstituimin e Kuvendit, një rast i padëgjuar ky për botën demokratike, kemi kërkuar rrugëdalje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Nuk e kemi bërë për interesa partiake, por për interes të vendit dhe të zbatimit të vullnetit të shprehur me votë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2025.

    Këtë kërkesë tonën nuk e kemi shndërruar në çështje e as në kauzë politike.

    Prej ditës që e kemi dorëzuar kërkesën tonë në Gjykatë, më 12 maj 2025, nuk kemi bërë asnjë komunikim publik për epilogun eventual të saj, gjithnjë duke mos dashur të interferojmë në vendimin e Gjykatës.

    Nuk mund të mos shprehemi të lehtësuar që kërkesa e AAK-së për interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese është pranuar dhe Gjykata ka nxjerrë vendim për këtë çështje, duke krijuar një bazë ligjore për të dalë nga ngërçi i krijuar.

    Shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim përkatësie politike e partiake, që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe t’i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e fundit parlamentare.

    Kusari-Lila: Gjykata tregoi se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 23:56

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, si partnere nga partia Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, ka shkruar për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese rreth situatës në Kuvend.

    Ajo ka thënë se ky aktgjykim tregon se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues.

    Tutje, ajo thotë se aktgjykimi obligon pjesëmarrjen dhe votimin në proces.

    Postimi i plotë:

    Me të gjitha kufizimet evidente për trajtim përmbajtësor të kërkesës së deputetëve nënshkrues, drejtuar Gjykatës Kushtetuese për procesin e votimit në seancën konstituive, vendimi i Gjykatës në thelb rithekson se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues. Çdo vonesë e mëtejme përbën shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 66 të Kushtetutës.

    Interpretimet e partive opozitare se gjoja është hedhur poshtë votimi i fshehtë nga Gjykata Kushtetuese — edhe sikur të ishin të sakta (e nuk janë) — nuk e justifikojnë mungesën në votimin e hapur për Komisionin zgjedhor. Ai votim është i hapur dhe, sipas vendimit të Gjykatës, pjesëmarrja në votim është obligim kushtetues.

    Andaj, të nderuar deputetë: mos vazhdoni me shkelje të Kushtetutës, por merrni pjesë në votim.

    Nesër, në ora 11:00, ne do të jemi aty — të gatshëm për votim dhe përmbyllje të seancës konstituive.

    Koha e mosjesëmarrjes në votim mbaroi — tani është koha për votim dhe përgjegjësi serioze ndaj Republikës dhe Kushtetutës.

    Vetëvendosje pas aktvendimit të Gjykatës: Votimi i fshehtë nuk paraqet shkelje të Kushtetutës

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 23:38

    Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. 

    Vetëvendosje thotë se  gjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese “thekson qartë atë që e kemi përsëritur dhe kemi insistuar që në fillim të procesit të konsituimit të Kuvendit”.

    Sipas interpretimit të Vetëvendosjes obligimi për të pëfunduar konstituimin e Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.

    Po ashtu Vetëvendosje vlerëson se zgjedhja e kryetarit dhe ajo e nënkryetarëve janë në nivel të barabartë.

    Sipas interpretimit të Vetëvendosjes votimi i fshehtë nuk paraqet shkelje të Kushtetutës.

    Kjo parti thotë se partitë e tjera, kishin për qëllim fajësimin e vetëvendosjes për moskonstitumin e Kuvendit, “mirëpo, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese disa herë thekson se obligimi është i të gjithë deputetëve nga të gjitha partitë, jo vetëm të partisë së parë.”.

    Vetëvendosje që deputetët e “opozitës” kanë argumentuar vazhdimisht se Lëvizja Vetëvendosje duhet të bëjë kompromis sa i përket kandidatit të propozuar për kryetarin e Kuvendit, “por njëkohësisht kanë insistuar që kandidatët që do të propozohen e nga ana e tyre për nënkryetarë të Kuvendit, janë të panegociueshëm.”.

    Vetëvendosje thotë se “ppozita ka shpresuar që Gjykata Kushtetuese do ta shpallte kundërkushtetues propozimin për të kaluar në votim të fshehtë.”.

    “Tani që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dritë të gjelbër këtij propozimi, për sa i përket kushtetutshmërisë së tij, edhe partitë opozitare duhet të tërhiqen nga refuzimi për të marrë pjesë në votim të fshehtë, nëse këtë refuzim e kishin për arsye kushtetuese dhe jo nga frika që mund të humbasin.”, thuhet në reagimin e tyre.

    Hasani: Gjykata konfirmoi se votimi i fshehtë është jokushtetues

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 23:15

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, tha në se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë të qartë, ka konfirmuar se procedura për konstituimin e Kuvendit është e përcaktuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat parlamentare.

    “…që nënkupton se ajo që është bërë nga z. [kryesuesi i seancës konstituive, Avni] Dehari është tërësisht jokushtetuese. Do të thotë se nuk mund të ketë devijim nga marrëveshja e arritur më 8 prill [v.j. takimi i partive politike për përgatitjen e seancës konstituive]”, tha Hasani.

    Në takimin e 8 prillit, nuk është marrë asnjë vendim për votim të fshehtë.

    Profesor Hasani thotë se Kushtetuesja vendosi për tërësinë e procedurës për konstituimin e Kuvendit, përfshirë këtu edhe në çfarë forme bëhet votimi.

    “Ajo ka vendosur për gjithë procedurën dhe ka treguar që procedura duhet të jetë e njëjtë, siç thotë Rregullorja, Kushtetuta dhe siç është vendosur pas çdo zgjedhje parlamentare në Kosovë deri tash. Këtë e ka thënë Gjykata. Dhe asnjëherë deri sot nuk ka pasur ndryshim të rendit të ditës nga kryesuesi dhe asnjë nuk ka pasur votim të fshehtë”, theksoi ai.

    I pyetur për interpretimet e bëra nga partitë sa i përket votimit të fshehtë, Hasani tha se partitë nëse duan të shkaktojnë pengesa, kanë çdo herë mundësi ta bëjnë këtë.

    “Por, Gjykata e ka bërë të qartë që Kushtetuta, Rregullorja dhe praktikat parlamentare janë ato që përcaktojnë se si konstituohet Kuvendi. Asnjëherë nuk ka pasur votim të fshehtë për konstituimin e Kuvendit. Gjykata këtë e ka thënë”, theksoi ai.

    Sipas tij, aktgjykimi e bën të qartë që partia fituese në zgjedhjet parlamentare, në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje duhet të arrijë konsensus, pra të sigurojë 61 votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    “Kjo është përgjegjësi dhe detyrë e saj. Nuk mund të barazohet me rastin e nënkryetarëve. Për këtë çështje ka dispozita më specifike edhe në Rregullore, sepse nënkryetarët përfaqësojnë forcat politike dhe grupet etnike dhe ata nuk mund të barazohen [me kryetarin]”, tha ai.

    Në aktgjykim, Kushtetuesja tha se partia e parë duhet që të bashkëpunojë në mirëbesim me partitë e tjera për të arritur një konsensus për zgjedhjen e kryetarit. Ajo tha po ashtu se partitë e tjera duhet ta bëjnë të njëjtë gjë edhe për nënkryetarët. Në aktgjykim, sipas Hasanit, u përsërit qëndrimi se deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë për konstituim.

    Sa i përket afatit prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, Hasani tha se është “pak i çuditshëm”, meqë sipas, përveç rastit të Sllovenisë, askund tjetër nuk përcaktohet një afat për konstituimin e Kuvendit.

    “Përcaktimi në këtë mënyrë në të ardhmen mund të jetë problematik, për shkak se në rast të moskonstituimit brenda 30-ditësh në zgjedhje të tjera nuk mund të shkohet, meqë do të ishte absurde në praktikën parlamentare në vendet demokratike sepse për herë të parë do të shkohej në zgjedhje pa pasur një organ përfaqësues të konstituuar. Ky është problemi kryesor”, tha Hasani.

    Profesor Hasani tha se Gjykata në pjesën dërmuese të aktgjykimi i 26 qershorit ka përsëritur gjetjet e vendimit të vitit 2014, kur atëbotë kishte pasur një ngërç politik pikërisht për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe kujt i takonte që ta propozonte atë.

    Hasani po ashtu nuk pajtohet me vlerësimin e Kushtetueses se seanca konstituive është akt kushtetues. Sipas tij, është veprim i Kuvendit.

    Për shkak të këtij interpretimi për seancën konstituive dhe vendosjen e afatit për konstituim, Hasani tha se “kam frikë se ka komplikuar më shumë punën dhe ka krijuar hapësirë të pafundme për obstruksion të formimit të Kuvendit të Kosovës”.

    Teksa Gjykata Kushtetuese ka kërkuar kompromis për konstituimin e Kuvendit, profesor Hasani tha se “gjykuar sipas sjelljeve deri sot, nuk pres që ky aktgjykim mund të shërbejë si bazë për arritjen e një kompromisi” mes partive./REL/

     

    “Po e interpretojnë sipas dëshirës vendimin e Kushtetueses”, Kadrijaj e AAK-së thotë se VV nuk deshi bashkëpunim

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 22:44

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) (Time Kadriaj), ka thënë se pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për situatën në Kuvendin e Kosovës ka rëndësi interpretimi.

    Ajo tha se po sheh sesi Lëvizja Vetëvendosje po e interpreton aktgjykimit sipas dëshirës.

    Tutje, ka thënë se partia në pushtet njihet si mosrespektuese e vendimeve të kësaj gjykate.

    Thotë se LVV nuk ka dashur bashkëpunim për konstituimin e Kuvendit.

    “Problemi është se si do ta interpretojmë në rast, sepse partia në pushtet po e shoh nga kabineti qeveritar i Albin Kurtit po i interpetojnë sipas dëshirave të veta. LVV nuk është parti se i respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese këtë e shohim në praktikë”.

    “Ne si AAK jemi munduar t’i japim zgjidhje kësaj çështjeje, nuk e kemi përdorur si kauzë politike. Megjithatë, është caktuar një afat kohor deri kur duhet të konsituohet Kuvendi”, ka thënë ajo.

    LDK mirëpret aktgjykimin e Kushtetueses: Grupi më i madh parlamentar nuk mund ta bllokojë konstituimin e Kuvendit

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 22:17

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke mirëpritur sqarimet që përmban vendimi, veçanërisht në lidhje me përgjegjësinë e grupit më të madh parlamentar dhe rregullat për mënyrën e votimit.

    Në një komunikatë për media, LDK ka vlerësuar se aktgjykimi përcakton qartë që grupi më i madh parlamentar nuk ka të drejtë të bllokojë konstituimin e Kuvendit, por duhet të sigurojë shumicën e votave ose të arrijë konsensus me grupet e tjera parlamentare për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me çështjen e konstituimit të Kuvendit, të drejtës dhe detyrimeve të grupit më të madh parlamentar, si dhe në lidhje me mënyrën e votimit në seancën konstituive.

    Ky aktgjykim ka përcaktuar qartazi se grupi më i madh parlamentar nuk mund të bllokojë konstituimin e Kuvendit, se duhet të sigurojë shumicën e votave të deputetëve ose të arrijë konsensus me grupet parlamentare.

    Po ashtu, siç e përcakton neni 187 i aktgjykimit, kryesuesi i seancës konstituive duhet të respektojë dispozitat kushtetuese, Kapitullin IV të Rregullores së Punës së Kuvendit dhe praktikat e deritashme parlamentare, si dhe t’i kthehet skenarit të dakorduar të seancës konstituive për të proceduar me votim të hapur.

    Lidhja Demokratike e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për një parlamentarizëm funksional, për respektim të Kushtetutës dhe për ndërtimin e institucioneve përfaqësuese që burojnë nga vullneti i qytetarëve dhe nga rregullat demokratike.

    Ftojmë grupin më të madh parlamentar që të veprojnë në përputhje me këtë aktgjykim, t’i ndërpresin bllokimet dhe të kontribuojnë në konstituimin sa më të shpejtë dhe të rregullt të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

    Enver Hasani komenton aktgjykimin e Kushtetueses: Procedurat janë të qarta, nuk mund të shkohet në zgjedhje pa u konstituuar Kuvendi

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 22:14

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka komentuar aktgjykimin e publikuar sot nga kjo gjykatë, i cili obligon deputetët e Kuvendit të Kosovës që brenda 30 ditëve ta përfundojnë konstituimin e tij përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve.

    Sipas Hasanit, Gjykata ka rikonfirmuar qartë parimet e vendosura me aktgjykimin e vitit 2014 dhe ka vendosur një afat të prerë kushtetues për përmbylljen e këtij procesi.

    “Gjykata Kushtetuese e ka rikonfirmuar aktgjykimin e 2014-tës dhe ka përcaktuar një afat 30-ditor. Pas atyre 30 ditëve nuk mund të shkohet në zgjedhje, sepse nuk mund të ketë zgjedhje pa pasur Kuvend të konstituuar. Po të ndodhte ndryshe, atëherë do të futeshim në Librin e Ginisit,”, deklaroi Hasani në Debat Plus, tranesmeton gazeta online Reporteri.net.

    Ai shtoi se Gjykata ka bërë shumë të qarta rregullat që rregullojnë konstituimin e Kuvendit, duke u bazuar në Kushtetutë, Rregulloren e Punës dhe praktikat parlamentare të deritanishme.

    “Gjykata ka thënë me dy fjalë se procedurat e konstituimit të Kuvendit përcaktohen nga Kushtetuta, rregullorja dhe praktika parlamentare deri më sot. Dhe deri sot nuk ka pasur asnjëherë votim të fshehtë – as para pavarësisë. Nuk ka pasur as devijim nga agjenda. Procedurat janë të pastra si loti dhe janë përcaktuar me 8 Prill,”, theksoi Hasani.

    Sot, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se deputetët janë të obliguar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.

    Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë.

    Seanca konstituive, e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, ka nisur më 15 prill dhe deri më tani janë zhvilluar 37 vazhdime të saj – por, deputetët nuk kanë arritur të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët.

    Në vendim, Kushtetuesja tha se seanca konstituive e nisur më 15 prill konsiderohet e papërfunduar për shkak se ende nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët.

    Sipas Kushtetueses, në bazë të nenit 66 të Kushtetutës (Zgjedhja dhe Mandati), kjo seancë është dashur të përmbyllet brenda 30 ditëve nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve.

    Më 27 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

    “Gjykata theksoi se seanca konstituive e Kuvendit është një akt kushtetues dhe si i tillë realizohet vetëm pas përmbushjes së të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve”, u tha në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    “Bllokuesi nuk kalon”, Haziri reagon pas aktgjykimit të Kushtetueses

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 21:23

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka shkruar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për situatën e bllokuar në Kuvendin e Kosovës.

    Haziri ka thënë se “bllokuesi nuk kalon”, duke thënë se është për keqardhje që në vend se politikanët, nëpërmje deputetëve, t’i zgjidhin ngërçet, i duhet Gjykatës Kushtetuese që ta bëjë këtë.

    Ai ka thënë se Kushtetuesja nuk lejon shantazhin politik.

    Postimi i plotë:

    Bllokuesi nuk kalon!

    Përshkrimi i frymës kushtetuese që Kosova ka vendosur më 17 shkurt 2008, nënkupton që marrëveshjet, mirëbesimi e kompromiset politike janë mjetet e vetme legjitime dhe patriotike në këtë Republikë, e cila themelet i ka më 2 korrik 1990. Nuk ka detyrim.

    Për votim, nuk e lejon shantazhin politik, e aq më shumë, nuk lejon keqpërdorimin e frymës kushtetuese për t’u keqpërdorë për konsum politik.

    Është për keqardhje që në vend se politikanët, nëpërmje deputetëve, t’i zgjidhin ngërçet, i duhet Gjykatës Kushtetuese që ta bëjë këtë!

    Bllokuesi nuk kalon.

    Nuk kemi Kuvend e as Qeveri, por vetëm deputetë të zgjedhur, sikurse që nuk mundesh me qenë edhe deputet e edhe anëtar i Qeverisë.

    Republika, mbi të gjitha!

    Bajrami për vendimin e Kushtetueses: Çka ndodh nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditëve?

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 20:54

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit, duke thënë se vendimi ka sjellë një qartësi me vendosjen e një afati 30-ditor për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

    Megjithatë, Bajrami ka shprehur shqetësimin se vendimi nuk precizon qartë se çfarë ndodh nëse Kuvendi dështon të konstituohet brenda këtij afati.

    “Më vjen mirë që Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar një afat kohor dhe tashmë e dimë, që ka një afat kohor… Nuk duke shumë e qartë, nga ajo që kam parë, se çfarë do të ndodhë nëse nuk bëhet brenda 30 ditëve.

    Kur e dimë se më kënd kemi të bëjmë në Kuvend, kur e marrim faktin se nesër është vazhdimi i 39 i seancës konstituive, menjëherë pyetja e parë që i bërë vetes që a ka thënë Gjykata Kushtetuese çka ndodh, në fakt a ka dhënë përgjigje se çka ndodh nëse edhe brenda këtyre 30 ditëve ne nuk arrijmë ta zgjedhim kryetarin e Kuvendit. Po thuhet se duhet të ketë zgjedhje.

    Unë e pash që partia e parë nuk e ka vetëm të drejtën, e ka edhe përgjegjësinë për të ardhur deri te konsensusi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Dmth normalisht obligohen të gjithë deputetët, por përgjegjësia kryesore edhe nga ajo çka lexuam është që partia që e ka të drejtën e ka edhe përgjegjësinë që të arrij konsensusin. Duhet ta gjej në figurë konsensuale, e pranueshme për pjesën më të madhe të deputetëve”, ka thënë ajo në RTV Dukagjini.

    Krasniqi: Aktgjykimi të zbatohet menjëherë, t’i japim epilog konstituimit

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 20:11

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës obligoi sot  deputetët duhet që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.

    Aktgjykimin e Kushtetueses e ka mirëpritur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha “Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin”.

    “E kemi përkrahur me ekspertizë dhe jemi bashkuar me iniciativën e AAK-së për sqarim kushtetues, sepse besojmë fuqishëm se demokracia mbrohet përmes ligjshmërisë dhe transparencës. Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve.”, tha Krasniqi.

    Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin.

    Reagimi i tij i plotë:

    Gjykata Kushtetuese dha qartësi: zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të ndodhë brenda 30 ditëve. Siç kemi theksuar që në fillim, rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt.

    Gjatë tërë kësaj kohe, Partia Demokratike e Kosovës ka vepruar me përgjegjësi, seriozitet dhe konstruktivitet. Kemi ofruar zgjidhje, jo bllokim. Kemi kërkuar respektimin e rendit demokratik, jo skema për ta shtyrë apo thelluar krizën institucionale.

    E kemi përkrahur me ekspertizë dhe jemi bashkuar me iniciativën e AAK-së për sqarim kushtetues, sepse besojmë fuqishëm se demokracia mbrohet përmes ligjshmërisë dhe transparencës.

    Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve.

    Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin.

    PDK do të vazhdojë të jetë pjesë e zgjidhjes edhe më tej. Urojmë që edhe palët e tjera të veprojnë në të njëjtin frymë. Mjaft kohë është humbur – tani t’i japim epilog kësaj çështjeje!

    Vjen reagimi i parë nga VV për aktgjykimin e Kushtetueses, Murati: S’ka nevojë për 30 ditë, që nesër të procedohet votimi i fshehtë

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 20:06

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, është i pari nga LVV që ka reaguar pat aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për situatën në Kuvend.

    Murait ka thënë se ky aktgjykim tegon se votimi i fshehtë nuk e shkel kushtetutën.

    Ai thotë që nuk ka nevojë për 30 ditë, por që nesër mund të kryhet kjo punë.

    Postimi i plotë i Muratit:

    1. Votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra lejohet.

    2. Të gjitha partitë duhet të angazhohen për të konstituuar Kuvendin, sidomos ato që propozojnë anëtarë në kryesi të Kuvendit.

    3. Të gjithë deputetët e kanë për obligim të marrin pjesë në votim.

    Këto i kemi thënë që nga dita e parë. Këto i paska thënë edhe Gjykata Kushtetuese.

    S’ka nevojë as 30 ditë të pritet. Që nesër mund të procedohet me votim të fshehtë, dhe kryhet kjo punë.

    Abelard Tahiri: Kushtetuesja foli, vendimi për komision të fshehtë ishte jokushtetues

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 19:50

    Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka nxjerrë jokushtetues tendencën për themelimin e komisionit të fshehtë.

    “Gjykata Kushtetuese ka folur qartë: vendimi për themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë në seancën konstituive ishte jokushtetues. Ky është një aktgjykim i rëndësishëm që ndal një devijim të rrezikshëm kushtetues dhe vërteton se procedurat parlamentare nuk mund të përdoren si instrument bllokade politike. Prej 15 prillit, konstituimi i Kuvendit është bllokuar – fillimisht nga dështimi i grupit më të madh parlamentar për të zgjedhur kandidaten e tyre për Kryetare të Kuvendit, dhe më pas, nga 30 prilli, përmes insistimit të një propozimi jokushtetues që pengoi vijimin e seancës konstituive.”, ka shkruar ai.

    Postimi i plotë:

    Gjykata Kushtetuese ka folur qartë: vendimi për themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë në seancën konstituive ishte jokushtetues.

    Ky është një aktgjykim i rëndësishëm që ndal një devijim të rrezikshëm kushtetues dhe vërteton se procedurat parlamentare nuk mund të përdoren si instrument bllokade politike.

    Prej 15 prillit, konstituimi i Kuvendit është bllokuar – fillimisht nga dështimi i grupit më të madh parlamentar për të zgjedhur kandidaten e tyre për Kryetare të Kuvendit, dhe më pas, nga 30 prilli, përmes insistimit të një propozimi jokushtetues që pengoi vijimin e seancës konstituive.

    Në cilësinë time si deputet, kam dorëzuar komente mbështetëse në këtë rast për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të ndalur instrumentalizimin e rregullave të Kuvendit nga një grup që nuk i ka votat, por kërkon të mbajë peng institucionet.

    Gjykata konfirmoi se:

    1. Rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas tekeve politike;

    2. Nuk ka të drejtë askush të vendosë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese e pa procedurë;

    3. E drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit nuk mund të shndërrohet në mekanizëm bllokues;

    4. Grupi më i madh parlamentar e ka detyrimin për bashkëpunim me grupet e tjera përmes kompromisit politik;

    5. Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga nxjerrja e aktgjykimit;

    Në këtë betejë, kemi qëndruar në mbrojtje të Kushtetutës dhe kemi dëshmuar se demokracia parlamentare nuk është pronë e askujt.

    Rendi kushtetues triumfoi – dhe me të, edhe vullneti për institucione funksionale, jo peng të një partie të vetme.

    Gjykata Kushtetuese i obligon partitë që në afat prej 30 ditësh ta konstituojnë Kuvendin

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 19:17

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se deputetët janë të obliguar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.

    “Gjykata përfundimisht ka konstatuar se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66, në ndërlidhje me paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 67, si dhe nenet 70 dhe 74 të Kushtetutës, në pajtim me Kreun IV të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit, si dhe nëpërputhje me konstatimet e dhëna në këtë Aktgjykim, janë të obliguar që, dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi, të përmbushin detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës përmes zgjedhjes së Kryetarit/es dhe të nënkryetarëve të tij.”, thuhet në aktgjykimin e publikuar nga Kushtetuesja.

    Rasti u iniciua nga deputetja Time Kadrijaj dhe 10 deputetë të tjerë, të cilët kërkuan vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë, si dhe të gjithë vendimeve të ngjashme në seancat e mbajtura gjatë muajve prill dhe maj.

    Vendimi i Gjykatës
    Me vendim unanim, Gjykata Kushtetuese ka shpallur kërkesën të pranueshme dhe ka konstatuar se: Seanca konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar;

    Zgjedhja e Kryetarit/es dhe nënkryetarëve është kusht themelor për funksionalizimin e Kuvendit;

    Seanca nuk është zhvilluar në përputhje me nenin 66 të Kushtetutës;

    Deputetët janë të detyruar ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi.

    Gjykata ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme.

    Në arsyetim, Gjykata thekson se e drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit, e rezervuar për grupin më të madh parlamentar, nuk mund të përdoret për të bllokuar procesin e konstituimit. Të gjithë deputetët, pavarësisht grupimit, kanë detyrimin kushtetues të bashkëpunojnë në mirëbesim për të zgjedhur Kryesinë e Kuvendit.

    Gjykata gjithashtu thekson se pa zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve, Kuvendi nuk mund të ushtrojë funksionet e tij ligjvënëse dhe mbikëqyrëse. Zgjatja e këtij procesi rrezikon parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve dhe funksionimin demokratik të shtetit./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!