Kryeministri Ramush Haradinaj ka shtruar një iftar për nder të kryetarit të BIK-ut, myftiut Naim Tërnava, e ku të pranishëm ishte i gjithë kabineti qeveritar.
Duke uruar besimtarët myslimanë, Haradinaj ka thënë se cilësitë e Ramazanit duhet të shërbejnë për t’u tejkaluar vetja për të mirën e përbashkët, shkruan Reporteri.net.
“Si vazhdimësi e traditës, sonte kam shtruar iftar për nder të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiut Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorëve të tij. Cilësitë më të mira njerëzore që vijnë në shprehje gjatë Muajit të shenjtë të Ramazanit, le të na shërbejnë që ta tejkalojmë veten për të mirën e përbashkët, fuqizimin e shtetit tonë dhe ruajtjen e vlerës sonë të rrallë dhe të dëshmuar të tolerancës ndërfetare. Të gjithë besimtarëve myslimanë në Kosovë, ju dëshiroj agjërim të lehtë edhe përgjatë ditëve të mbetura të Ramazanit”, ka thënë Haradinaj.
E aty ishte edhe presidenti Hashim Thaçi, i cili vetëm gjysmë ore para iftarit kishte thumbur kryeministrin Haradinaj, ku e përmendi “dorëzimin e veriut” në duart e Milan Radojiciqit, për të cilin Thaçi kishte thënë se është mik i Haradinajt.
“E drejta e përfshirjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Republikën e Kosovës është legjitime, korrigjim i padrejtësive historike dhe siguri për qytetarët e asaj treve për të jetuar në trojet e tyre. Kjo përpjekje ka ndalur së realizuari angazhimet e sofistikuara që veriu i Kosovës t’i dorëzohet Milan Radojçiqit, fillimisht pasuria e Trepçës, për të vazhduar me transformimin e pasurive shtetërore në ato komunale (katër komunat e veriut) dhe, po ashtu, ka parandaluar planet për sovranitet të dyfishtë dhe asociacion me mandat ekzekutiv, modeli i Republikës Serbe, pra autonomi rajonale”, ka thënë Thaçi më herët.
Ky reagim i presidentit Thaçi erdhi pas deklarimeve të kryeministrit Haradinaj, i cili tha se e kishte patur të vështirë ta ndal “dialogun që sillte ndarjen e Kosovës dhe të kthente atë në dorën e Qeverisë”.
Ndryshe, Thaçi e Haradinaj janë përplasur ashpër kohëve të fundit, e sidomos lidhur me takimin e Brukselit ku, siç tha kryeministri, presidenti Thaçi e kishte vënë në pozitë të vështirë para Merkel e Macron./Reporteri.net