Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në Amerikë, ka takuar Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Alexander Kasanof.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se gjatë takimit me Kasanof kanë diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë, raporton gazeta online Reporteri.net.
Ndër të tjerash, Haradinaj ka bërë të ditur se ka theksuar nevojën për një kontratë afatgjate, e cila ka për synim anëtarësimin e përpshpejtuar të Kosovës në NATO.
“Në Departamentin Amerikan të Shtetit, në një takim të hapur, përmbajtësor dhe miqësor, diskutuam zhvillimet politike në Kosovë me z. Alexander Kasanof, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë. Falenderova z. Kasanof, administratën amerikane dhe Ambasadën e SHBA-së në Kosovë për angazhimin dhe përkushtimin maksimal në mbështetje të Kosovës. Në këtë takim, theksova nevojën për një kontratë afatgjate që për synim ka anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO, pasi ky është një hap jetik për garantimin e sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në rajon”, ka shkruar Haradinaj.
Tutje, kreu i AAK-së ka thënë se ka vlerësuar se lidershipi dhe angazhimi amerikan janë të domosdoshme për një marrëveshje strategjike Kosovë-ShBA.
“Arritjet e Kosovës, që nga vitet ’90, përfshirë luftën çlirimtare dhe procesin e shtetndërtimit, janë bërë në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të jetë një fitore e përbashkët”, ka përfunduar Haradinaj.
/Reporteri.net/.