Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka deklaruar se aktgjykimi i fundit i Gjykatës lidhur me moskonsistutimin e Kuvendit nuk është i qartë për politikën, për laikët dhe për adresuesit e tij. Sipas tij, problemi kryesor nuk qëndron vetëm në arsyetim, por në dispozitivin e vendimit – pra, në pjesën që përcakton konkretisht çfarë duhet të ndodhë.
“Ajo çka ka qenë e qartë, ka qenë e qartë. Por në këtë rast, aktgjykimi nuk është i qartë as konceptualisht. Nëse marrim shembullin e vendimit për rastin Pacolli, aty ishte e qartë se kujt i referohej – Jakup Krasniqit si ushtrues detyre. Pra, për hir të qartësisë dhe koherencës, është dashur të thuhet saktësisht çfarë kërkon Kushtetuta në këtë rast, duke u bazuar në nenin 90.”, tha Hasani. në Debat Plus.
Ai theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk ekzekutohen në të njëjtën mënyrë si ato të gjykatave të rregullta, ku shteti ka mjete të drejtpërdrejta ekzekutive si dënimi penal apo ndalimi me burg.
“Në Evropë ekzistojnë dy sisteme: një pakicë shtetesh si Shqipëria, Rusia dhe Austria, ku vendimet e kushtetueses janë të zbatueshme me instrumente ligjorë dhe penalë, madje ekziston edhe një institucion garantues – si Presidenti në Austri apo Qeveria. Sllovenia po ashtu funksionon njësoj. Por Kosova i përket shumicës së vendeve ku vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të vetëzbatueshme dhe kanë fuqi më shumë morale se sa ekzekutive,” shpjegoi Hasani.
Sipas tij, vendimi i fundit i Kushtetueses është problematik për shkak se caktimi i një afati për përmbylljen e seancës konstituive nuk është shoqëruar me përcaktimin e pasojave në rast të mosrespektimit.
“Aktgjykimi nuk është i qartë për politikën, për laikët dhe për adresuesit. Ajo çka ka qenë e qartë, ka qenë e qartë. Aktgjykimi – edhe konceptualisht si akt gjykimi – nëse verdikti është i qartë, siç ka qenë rasti Pacolli, ku i referohej qartë Jakup Krasniqit si ushtrues detyre, atëherë sqarohen gjërat. Ne po e bëjmë këtë sqarim për hir të qartësisë dhe koherencës, për të treguar se çfarë është Kushtetuta. Në këtë rast, duhet parë neni 90.
Përveç mungesës së qartësisë në arsyetim – me të cilin mund të mos pajtohem dhe për të cilin mund të shkruaj edhe në të ardhmen – problemi më i madh është dispozitivi i aktgjykimit. Ai është i papërshtatshëm për ekzekutim. Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë të njëjta me ato të gjykatave të rregullta, ku aparati shtetëror i zbaton me mjete të detyrueshme, deri në burg. Në rastin e Gjykatës Kushtetuese, nuk i përgjigjesh literalitetit të vendimit Ne Evropë ekzistojnë dy sisteme për sa i përket ekzekutimit të aktgjykimeve të kushtetueses. Një grup i vogël shtetesh – si Shqipëria, Rusia, Austria – i kanë vendimet edhe me efekt penal dhe me një garanci institucionale. Për shembull, në Austri është Presidenti dhe Qeveria; në Slloveni njëjtë.
Por Kosova i përket shumicës së shteteve ku aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të vetëzbatueshme. Ato nuk kanë mekanizma të drejtpërdrejtë ekzekutivë apo legjislativë, por mbështeten në sanksionin moral.
Arsyetimet e qarta dhe të mira janë thelbësore për palët. Sot ky është standardi. Nuk mund të ketë ndjekje penale ndaj askujt për një vendim të tillë.
Pika tjetër problematike është përcaktimi i afateve. Është absurditet të caktohet një afat pa përcaktuar pasojat. Gjykata ka vendosur afatin, por nuk ka specifikuar pasojat juridike që do të pasonin nëse ai nuk respektohet.
Ka munguar një dispozitiv i qartë, i cili duhej të përmbante:
Seanca konstituive nuk është përfunduar.
Seanca konstituive duhet të përmbyllet brenda afatit 50-ditor.. Partia që ka shumicën parlamentare ka detyrim për të siguruar 61 vota, në një proces politik që respekton Kushtetutën.
Pas 30 ditësh, nëse kjo nuk ndodh, e drejta duhet t’i kalojë një subjekti tjetër”, deklaroi Hasani.
Hasani ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese e ka pasur detyrë të i tregojë edhe pasojat të cilat i pret pas këtij vendimi.