×
  • Lajme
  • Lajme / Ish-kryetari i Kushtetueses

    Hasani: VV po abuzon, deputetët që nuk e zbatojnë aktgjykimin do duhej të decertifikoheshin

    Reporteri
    29 Qershor 2025 | 16:20

    Ish- Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani ka komentuar rreth vazhdimit të seancës konstituive, të parës pas shpalljes së aktgjykimit.

    Kryesuesi nga radhët e VV’së Avni Dehari duke i çuar në vend porositë e Kurtit, përsëri tentoi ta çojë përpara atë për të cilën rasti shkoi në Gjykatë – hodhi në votim komisionin për votim të fshehtë.

    Sipas Hasanit, sjellja shpërfillëse ndaj aktgjykimit të Kushtetueses ndodhë pasi nuk ka sanksion të qartë për moszbatim.

    “Duke komentuar pretendimet e VV’së se Gjykata ka “lejuar” votimin e fshehtë duke iu referuar aktgjykimit të vitit 2014, Hasani thotë se referimi i tillë është abuziv.

    “Një referim i tillë nga ana e VV-së është në tërësi abuziv dhe ka qenë i tillë që nga fillimi i kësaj seance të papërfunduar konstituive. Gjykata as në vitin 2014, e as tani, nuk ka thënë asnjëherë që votimi në seancën konstituive duhet të jetë i fshehtë. Përkundrazi, Gjykata ka theksuar se format dhe modalitetet e votimit në Kuvendin e Kosovës janë të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit – atëherë dhe edhe sot. Kushtetuta dhe Rregullorja përcaktojnë qartë kur dhe pse votohet në mënyrë të fshehtë. Për seancën konstituive nuk parashihet një gjë e tillë. Kjo është e qartë si drita e diellit, siç thotë populli”, ka deklaruar Hasani.

    Sipas Hasanit, po të caktonte Gjykata ndonjë sanksion – decertifikimin e deputetëve- situata do të ishte ndryshe.

    “Ne, juristët, e kemi pasur të qartë që nga fillimi se si duhet të bëhet konstituimi. Sikur të ishte caktuar një sanksion – për shembull, decertifikimi i deputetëve që nuk zbatojnë aktgjykimin – situata do të kishte qenë ndryshe. Por Gjykata nuk ka mundur të vendosë një sanksion të tillë, sepse vetë dispozitivi, pjesa operative e aktgjykimit, është e paqartë dhe e papërshtatshme për zbatim. Ajo nuk përmban as konstatim të shkeljes kushtetuese, dhe as urdhër për ta adresuar atë. Në këtë kuptim, mund të thuhet se aktgjykimi është i ndrojtur dhe nuk i ka shkuar deri në fund zgjidhjes së ngërçit”, ka thënë Hasani për Express.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!