Presidenti i vendit, Hashim Thaçi e ka nënshkruar dekretin për tërheqjen e ambasadores Vlora Çitaku nga misioni i saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në dekretin e siguruar nga Gazeta Online “Reporteri.net”, presidenti Thaçi urdhëron largimin e ambasadores së deritanishme nga misioni i saj pesë vjeçar në SHBA.
“Urdhërohet tërheqja e znj. Vlora Çitaku nga pozita e Ambasadores/Shefes së Misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me seli në Uashington”, thuhet në dekretin e Presidentit Thaçi të nënshkruar më 2 tetor.
Tërheqja e Vlora Çitakut nga misioni i saj në SHBA vjen pasi në mars të këtij viti, atë kohë Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca mori vendim për shkarkimin e saj. Shkarkimi i saj nxiti polemika të shumta, derisa vetë Çitaku doli me një reagim ku tha se do ta respektojë vendimin e Ministrisë së Jashtme.
“Sigurisht, unë do ta respektoj kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ndonëse e kam të qartë se ligjërisht vetëm Presidenti i Kosovës ka të drejtë të emërojë dhe të shkarkojë ambasadorët e Republikës së Kosovës, mua më mjafton fakti tashmë i ditur botërisht, se unë jam e padëshiruar”, shkroi Çitaku në llogarinë e saj në Facebook.
Çitaku është emëruar në postin e Ambasadores së Kosovës në SHBA në vitin 2015.
Puna e saj në përfaqësimin diplomatik të vendit përgjatë viteve është vlerësuar shumë. Çitaku është vlerësuar sidomos për fjalimet në Këshillin e Sigurimit ku dhjetëra herë është përballur me Ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq. /Reporteri.net