Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e propozuara për kryetare të Kuvendit nga kjo parti, Albulena Haxhiu, ka komentuar situatën aktuale politike dhe bllokadën rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës pas dështimit të 31-të për konstituimin e Kuvendit. Në një deklaratë për media, Haxhiu u shpreh se procesi nuk varet vetëm nga VV-ja, por nga të gjithë deputetët e partive politike.
“Nuk varet vetëm nga VV. Ne jemi përgjegjës sa janë edhe deputetët e tjerë të partive tjera politike”, tha Haxhiu.
Haxhiu foli edhe për propozimin e LDK-së për Qeveri të Unitetit. Ajo shtoi se është thelbësore të arrihet fillimisht një unitet për konstituimin e institucioneve, përpara se të diskutohet për çështje të tjera programore, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Nuk e kam lexuar këtë plan, nuk mund t’i komentoj pikat. E rëndësishme është që është absurde të mblidhesh të votosh për 15 pikat kur ne s’po merremi vesh për konstituimin e Kuvendit. Së pari duhet unitet për konstituimin e Kuvendit dhe pastaj të flasim për pikat tjera”, u shpreh Haxhiu.
Në vazhdim, ajo rikujtoi se Vetëvendosje ka qenë e hapur për bashkëpunim me LDK-në, por se kjo e fundit e ka refuzuar ofertën. Ajo kritikoi qasjen e LDK-së duke e akuzuar se po dëshiron me çdo kusht ta ketë PDK-në në partneritet.
“Ju e dini që VV-ja ka qenë e hapur për koalicion me LDK-në, por kjo është refuzuar. Nuk e kuptoj qasjen e LDK-së që me domosdo ta ketë PDK-në në partneritet. Ky insistim është i pakuptimtë. Për mua është absurd qëndrimi i LDK-së se nuk shkojmë pa PDK-në”, tha Haxhiu para mediave. /Reporteri.net/