Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ka akuzuar PDK-në, LDK dhe AAK-në se qëllimshëm po tentojnë ta vonojnë konstituimin e Kuvendit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ajo e cilësoi si të paprecedentë mosvotimin e raportit të Komisonit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit nga këto parti.
‘‘Ne sot ishim të pranishëm në seancën konstituive. Grupi parlamentar i VV-së ishte i pranishëm dhe ishte i gatshëm të bënte betimin dhe të vazhdonte me procedurat tjera. Por siç e patë ndodhi një situatë e paprecedentë, opozita nuk e votoi raportin për Komisionin për verifikimin e mandateve dhe kuorumit ndonëse gjithçka ishte në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Kjo opozitë asnjë fjalë se tha asnjëherë kundrejt Listës Serbe, as në KQZ as në kohën kut diskutohej për çertifikimin e rezultateve, por këta e kanë hall Albin Kurtin e Vetëvendosjen.
Këta s’ishin të interesuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, këta po tentojnë ta vonojnë konstituimin e Kuvendit, dhe jemi në këtë rrethanë. Kryesuesi i seancës ka thënë se për shkak të rrethanave do të njoftohet presidentja dhe pastaj e shohim se cili do të jetë vazhdimësia’’, ka thënë ajo mes tjerash.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre pas afër dy orë punime. Deputetët s’arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit./Reporteri.net/