×
  • Lajme
  • Lajme

    Haxhiu bashkë me homologun e saj danez vizitojnë institucionin korrektues në Gjilan

    Reporteri
    21 Dhjetor 2021 | 16:38

    Ministrat e Drejtësisë të të dyja vendeve së bashku me ekipet e tyre, sot patën një vizitë në ambientet e Institucionit Korrektues në Gjilan.

    Në këtë vizitë ata u njoftuan me gjendjen e përgjithshme të infrastrukturës së përgjithshme të institucionit si dhe shërbimet që ofrohen aty.

    Po ashtu, delegacionet vizituan edhe ambientet e banimit duke përfshirë edhe dhomat e të paraburgosurve dhe të dënuarve ku u njoftuan nga afër me kushtet dhe standardet që ofron ky institucion.

    Ministri i Drejtësisë i Mbretërisë së Danimarkës, Nick Hakerup, falënderoi ministren e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiun, për mikpritjen dhe mundësinë për të parë për së afërmi ambientet e burgut ku pritet të vendosen të dënuarit nga Mbretëria e Danimarkës, sipas pajtimit të të dy vendeve.

    Kjo vizitë vjen pas nënshkrimit të dy letër-qëllimeve; Njëri për vënien në shfrytëzim të një institucioni korrektues si dhe tjetri për investime në energjinë e ripërtëritshme dhe për bashkëpunim politik.

    Ndërsa të hënën Republika e Kosovës dhe Republika e Danimarkës, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për investime në energjinë e ripërtëritshme dhe për bashkëpunimin politik.

    Kjo marrëveshje është nënshkruar nga ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli dhe homologu i saj nga Danimarka, Flemming Moller Morteensen, Ministër i Bashkëpunimit Zhvillimor.

    Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kjo marrëveshje hap rrugën për një bashkëpunim më të thellë ekonomik dhe në fushën e energjisë për dy shtetet.

    Rizvanolli u shpreh se sektori i energjisë përballet me sfida të shumta dhe kriza e fundit energjetike ka treguar brishtësinë e sistemit energjetik në Kosovë. Ajo tha se kriza energjetike ka treguar se sa e rëndësishme është që të ketë siguri të furnizimit dhe të ketë diversifikim të prodhimit të energjisë elektrike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!