Në sallën e Kuvendit të Kosovës janë kthyer deputetët  e Lëvizjes Vetëvendosje për vazhdimin e seancës për zgjedhjen e presidentit.

Sërish, asnjë deputet i opozitës nuk është parë të jetë i pranishëm. Kryeparlamentarja Haxhiu u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të jenë të pranishëm në sallë.

“Në vend që të tërhiqen nga deklarata që u bëjnë presion kandidatëve për president, i ftoj ata që të vijnë dhe nëse dëshirojnë do t’ua japim fjalën, por jo që të flasin nga zyrat e tyre apo ambientet tjera përderisa po flasim në seancë”, tha Haxhiu.

Reklamë

Haxhiu i thirri një nga një deputetët e opozitës. Ajo tha se nuk ka pranuar njoftim me shkrim nga asnjë prej tyre në lidhje me arsyen e mungesës në seancë.

“Edhe përkundër faktit që edhe dje edhe sot i kam bërë thirrje deputetëve që s’janë të pranishëm në seancë që të vijnë në seancën për zgjedhjen e presidentit që të ushtrojnë detyrat e tyre kushtetutese, siç po e shihni nuk janë të pranishëm”.

“S’kam pranuar asnjë njoftim me shkrim për arsye të mungesës së deputetëve nga radhët e opozitës”, tha tutje Haxhiu.

Seanca që nisi dje dhe vazhdoi edhe sot paradite është bojkotuar nga opozita, që ka bërë thirrje të ndërpriten punimet e kësaj seance meqë nuk ka kuorum./Reporteri.net/